Çavez dhuron shtëpi për ndjekësen e tij të 3-miliontë
Si do të ndjeheshit po të merrnit në këmbim të një klikimi në internet një shtëpi? Fatlumja ishte një vajzë 19-vjeçare venezuelase, Natalia Valdivieso. Dhurata për të ishte nga Presidenti i Venezuelës, Hugo Çavez dhe ndodhet në ishullin karaibik, Margarita. Vajza rastisi të jetë ndjekësja e tij e tremiliontë në Twitter. Konfirmimi për dhuratën u bë nga vetë Presidenti Çavez, i cili e ka uruar 19-vjeçaren. Ditën që mori çelësat e shtëpisë, Valdivieso, e cila jetonte në këtë ishull edhe më parë, ka postuar foto të shumta dhe mesazhe lumturie në Twitter duke e quajtur Çavezin si Presidenti më i mirë: Jam zgjuar duke menduar se kjo ishte dita më e lumtur e jetës sime. Presidenti im i dashur pa se për çfarë kisha nevojë dhe më ndihmoi. E dua shumë, i dërgoj puthje dhe i uroj shërim të shpejtë, shkruante 19-vjeçarja.