Kompensimi, qeveria shton fondin fizik për pronarët
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një vendim për të shtuar fondin fizik për kompensimin e ish-pronarëve. Sipërfaqja e shtuar si pjesë e këtij fondi është pronë shtetërore. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 16 e 28, të ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004, Për kthimin dhe kompensimin e pronës, të ndryshuar dhe të ligjit nr. 8743, datë 22.2.2001, Për pronat e paluajtshme të shtetit, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi që sipërfaqja prej 27 070 (njëzet e shatë mijë e shtatëdhjetë) m ², me numër pasurie 257/2, zëri kadastral Shesh, pronë shtetërore, të kalojë në fondin e kompensimit fizik e të vihet në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në përputhje me ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004, Për kthimin dhe kompensimin e pronës, të ndryshuar, - thuhet në vendimin e djeshëm të ekzekutivit. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të bëjë verifikimin përfundimtar të pronësisë së truallit, për fondin e mësipërm, e përdor atë për kompensimin e pronarëve, sipas kritereve të përcaktuara në ligj. Është ngarkuar Ministria e Financave dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren zyrtare. Pak kohë më parë Kuvendi miratoi projektligjin e krijimit të një fondi special për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Të ardhurat e përfituara nga privatizimi, legalizimi, donacionet do të përdoren për kompensimin fizik të ish-pronarëve, - thuhet në këtë ligj të miratuar tashmë. Në llogari të fondit special të kompensimit të ish-pronarëve do të kalojnë 65 për qind nga privatizimi i ndërtesës dhe 100 për qind nga shitja e truallit. Ndërkohë, për kompensimin e ish-pronarëve, trualli i të cilëve ishte zënë nga ndërtimet informale, do të përdoret 80 për qind i të ardhurave nga legalizimet.