E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i KLSH, mbetjet spitalore hidhen rrugëve

Emirjon Senja

Trajtimi i mbetjeve spitalore, siç janë shiringat, aget, bisturitë, mbetjet indore, etj., janë një ndër detyrimet kryesore të spitaleve në vend për shkak edhe të rrezikshmërisë lartë që kanë ato për shëndetin e popullatës. Në këtë kuadër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një kontroll të performancës në Ministrinë e Shëndetësisë duke u bazuar në raportimet shkresore të një pjese të mirë të spitaleve në të gjithë vendin duke hasur në një situatë tepër alarmante. Në pjesën më të mirë të rasteve, mbetjet spitalore digjen në kushte primitive, ndërsa nuk mungojnë edhe situatat kur ato hidhen ku të munden duke mos marrë parasysh efektet negative në komunitet.

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kushtuar kësaj problematike një aneks të veçantë në raportin e tij vjetor mbi aktivitetin e tij për vitin 2011, të cilin e ka dërguar në Kuvend. Nga kontrollet e kryera, KLSH raporton se në vend që të trajtohen sipas standardeve duke u djegur në iceneratorë apo të trajtohen nga persona të specializuar, trajtohen njëlloj si plehrat urbane. Madje më keq akoma, KLSH raporton se mbetjet spitalore transportohen me të njëjtët automjete që mblidhen mbeturinat urbane të qyteteve duke rritur rrezikun e transmetimit të sëmundjeve. Pjesë e raportit të KLSH-së është edhe kontrolli në terren për mënyrën se si trajtohen mbetjet. Në fakt, rregulloret dhe ligjet për trajtimin e mbetjeve spitalore ekzistojnë madje janë sipas standardeve të vendeve të BE-së, por mungon ajo që është më e rëndësishmja, respektimi i tyre.

Në fakt nuk është vetëm Ministria e Shëndetësisë përgjegjësja për trajtimin e mbetjeve spitalore si mbetje të thjeshta urbane duke rrezikuar jetën e qytetarëve, pasi për trajtimin e tyre nevojitet bashkëpunimi i shumë hallkave, siç janë Ministria e Mjedisit për studimit e ndikimit mjedisor, pushteti lokal, etj. Ja se çthotë Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e tij në lidhje me këtë situatë: Në përfundim të auditimit të performancës në Ministrinë e Shëndetësisë për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore është vërejtur mungesë e strukturave përkatëse për menaxhimin e tyre si edhe të planit të administrimit; mungesë e pjesshme bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Mjedisit me pushtetin lokal për administrimin e mbetjeve sipas tipologjisë; mungesë e të dhënave në lidhje me subjektet private shëndetësore, klinikat dentare si edhe për subjekte jashtë sistemit shëndetësor, të cilat prodhojnë mbetje spitalore, etj.

Situata

Gazeta e ka pasqyruar edhe më parë problematikën e trajtimit të mbetjeve spitalore në spitalet tona duke publikuar në prill të vitit të shkuar një raport tjetër konfidencial të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili pasqyronte atë çka ndodh realisht në spitalet e qyteteve tona me mbetjet. Sipas raportit, gjendja ishte tepër problematike në spitalin e qytetit të Bulqizës, ku mbetjet spitalore sipas KLSH-së derdhen në të njëjtin kazan ku edhe mblidhen mbetjet urbane. Kjo ka bërë që një lagje e terë pranë spitalit, të jetojë çdo ditë me këtë problem ku fëmijët të luajnë me shiringa, bisturi, etj. Më e rendë është situata për sa i përket mbetjeve të maternitetit. KLSH raportonte se kishin vërejtur mes plehrave edhe mbetje indore nga trupi i njeriut, siç është placenta. Për nga natyra e tyre, mbetjet të tilla shpërndahen nga qentë nëpër rrugicat e lagjeve. Ngjashëm është situata edhe në Fier, ku mbetjet spitalore nuk trajtohen sipas rregullores, por hidhen në vendgrumbullimin e mbeturinave urbane. Kështu ndodh edhe në qytete të tjera të vendit si Tropojë, Peshkopi, Gjirokastër, Pogradec, etj.

Situata në spitale

Bulqizë

Mbetjet nuk trajtohen, hidhen në kazanët e plehrave urbane duke u kthyer më lodra për fëmijët

Fier

Mbetjet nuk trajtohen, depozitohen tek fusha e plehrave të qytetit

Bilisht

Mbetjet hidhen tek fusha e mbeturinave të qytezës

Delvinë

Mbetjet digjen

Berat

Mbetjet trajtohen sipas rregullave, ndahen sipas rrezikshmërisë dhe digjen

Gramsh

Mbetjet trajtohen pjesërisht për qëllime diagnostike dhe terapeutike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›