Raporti i Këshillit të Evropës: Shqipëria, përmirësim në trajtimin e të burgosurve
Raporti i Komisionit për Parandalimin e Torturës, Këshilli i Evropës, për vitin 2008 informon se Shqipëria ka bërë një progres të ndjeshëm, thelbësor krahasuar me vitin 2005. Në raportin e vizitës së vitit 2005, Komisioni për Parandalimin e Torturës, Këshilli i Evropës, pati shprehur shqetësime serioze për faktin se shumica e rekomandimeve që ishte dhënë pas vizitave të mëparshme në Shqipëri nuk ishin zbatuar. Objektivi kryesor i raportit të vitit 2008 ishte për të parë nëse ishte arritur progres në lidhje me rekomandimet e dhëna nga komisioni në vizitat e viteve 2005 dhe 2006. Në këtë kontekst, vëmendje e veçantë u tregua në lidhje me trajtimin e personave të ndaluar nga policia dhe kushtet në qendrat e vuajtjes së dënimit si dhe ato të paraburgimit.
Gjatë gjithë vizitës, niveli i bashkëpunimit nga autoritetet shqiptare në nivel qendror ka qenë i shkëlqyer. Gjatë kësaj vizite, delegacioni ka vërejtur një numër përmirësimesh thelbësore dhe shumë domethënëse që nga vizita e vitit 2006. Në veçanti, për sa i përket keqtrajtimit nga ana e policisë, trendi i përgjithshëm tregon përmirësim, ndërsa për sa u përket kushteve në qendrat e paraburgimit, jemi shumë afër që të kthehet një faqe e re.
Në fakt, situata në disa qendra të paraburgimit, siç kanë qenë raportuar në vizitat e viteve 2005 dhe 2006, i përkasin të shkuarës. Komisioni për Parandalimin e Torturës, Këshilli i Evropës, nënvizon se Kryeministri i Shqipërisë ka dënuar në mënyrë publike aktet e torturës dhe format e tjera të keqtrajtimit dhe ka treguar se qeveria do të ndjekë politikën e ‘tolerancës zero’ në këtë drejtim. Për t’ia arritur kësaj, i janë dhënë instruksione Ministrisë së Brendshme, të gjithë oficereve të policisë. Komisioni për Parandalimin e Torturës, Këshilli i Evropës, thekson në raport se delegacioni i tij ka vërejtur një numër përmirësimesh thelbësore në lidhje me kushtet e mbajtjes në qendrat e paraburgimit.