Raporti i KiE: Situata në Shqipëri vazhdon të përkeqësohet
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të votojë sot një rezolutë për disa prej vendeve anëtare të saj, ndër të cilat është edhe Shqipëria. Anëtari i Asamblesë, Dick Marty, përfaqësues i Aleancës Liberale dhe Demokratike, ka hartuar një dokument mbi gjendjen politike në Shqipëri në periudhën qershor 2009-2010, ku e gjithë vëmendja është përqendruar në zgjedhjet e përgjithshme dhe kontestimet e opozitës. “Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 shënuan fillimin e krizës serioze aktuale politike. Edhe pse ato janë kryer në bazë të dispozitave të Kodit të rishikuar Zgjedhor, ndryshuar në vitin 2008 në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, sidomos në lidhje me procedurat për regjistrimin dhe identifikimin e votuesve si dhe funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, këto përmirësime janë lënë në hije nga politizimi i procesit zgjedhor dhe shkeljet e dalluara gjatë fushatës”, thuhet në pikën e parë të rezolutës. Në të njëjtën kohë sipas draftit “situata vazhdon të përkeqësohet, pas demonstratave nga të dy palët, partia qeverisëse dhe opozita, më 30 prill dhe 1 maj 2010, dhe konfuzionit të mëvonshëm në rrugë kryesore të Tiranës, ku rreth 200 përkrahës të Partisë Socialiste, duke përfshirë edhe 22 deputetë, u futën në grevë urie. Ky bllokim është akoma edhe më shumë për të ardhur keq, pasi të gjithë liderët politikë duhet të sigurojnë rinisjen e dialogut politik brenda Parlamentit dhe mbështetjen e popullsisë për këtë proces demokratik. është përgjegjësia e liderëve politikë për t’i bërë thirrje popullatës për të demonstruar mbështetjen e tyre brenda institucioneve demokratike dhe jo në rrugë”.