E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i KiE për Kosovën, akuza për vrasjen e dëshmitarëve të luftës

Këshilli i Evropës gjatë sesionit dimëror të Asamblesë Parlamentare do të diskutojë edhe një raport për zhvillimet në Ballkan. Por duket se një pjesë shumë e rëndësishme do t`i përkasë Kosovës dhe zhvillimeve të fundit në këtë shtet.
 

Raporti i Dick Martit do të jetë një ndër çështjet që do të diskutohet dhe që do të kërkojë miratim të Asamblesë, ndërsa një pikë kritike duket se lidhet me dëshmitarët e luftës. Anëtari nga Monako, Jean-Charles Gardetto, ka përgatitur një raport për mbrojtjen e dëshmitarëve që kanë të bëjnë me krimet e luftës. Në raport thuhet mes të tjerash se në Kosovë vriten dëshmitarë që nuk guxojnë të japin dëshmitë e tyre për për rastet e krimeve të luftës, dhe se duhet urgjentisht të strehohen jashtë Kosovës.
"Nuk ka Ligj për Mbrojtjen e Dëshmitarëve në Kosovë. Në rastet më serioze, dëshmitarët dëshmojnë në mënyrë anonime. Shumica e dëshmitarëve identifikohen nga mbrojtja kur japin dëshmitë e tyre, përkundër masave anonime", thuhet në raport.
 

Më tej, në raportin e ri të KiE-së për Kosovën, thuhet se "Dëshmitarët shihen si tradhtarë nga komuniteti kur japin dëshmitë e tyre, që i dekurajon dëshmitarët të dalin përpara me dëshmitë e tyre. Për më tepër, shumë njerëz nuk besojnë se kanë obligim moral dhe legal për të dëshmuar në çështje kriminale".
Në raport përmendet edhe gjyqi i Ramush Haradinajt në lidhje me disa dëshmitarë të këtij proçesi të cilët janë vrarë pasi janë thirrur në dëshmi.
 

Më tej, raporti thotë se shtetet e BE-së duhet të jenë në gjendje që t`u japin strehim në territorin e tyre dëshmitarëve, sepse është e pamundshme për ta që të mbesin brenda Kosovës, gjithashtu i bëhet thirrje edhe EULEX-it që të bëjë më shumë në këtë drejtim.
Raporti i Gardettos gjithashtu thekson mosgadishmërinë e autoriteteve lokale për t`u marrë me rastet e krimeve të luftës. Në fund, raporti flet për pamundësinë e autoriteteve policore në Kosovë për të zgjidhur çështje të tilla.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›