E Shtunë, 31 Tetor 2026

Washington Post: “SHBA-të dinë shumë pak për luftën”



Riçard Koen

Të fillojmë me një paradoks. Armata e Shteteve të Bashkuara që luftoi në Vietnam, u ofendua, nuk u pështy, por as nuk u admirua shumë. Për dallim nga ajo, armata në Irak dhe Afganistan është përqafuar dhe lëvduar. Megjithatë, armata e Vietnamit doli se ishte armata ime, vazhdon autori. Unë isha në detyrë aktive si rezervist, jo shumë gjatë, por aq sa duhej që ushtria ta humbte gjithë misterin e saj. E pashë se ushtria nuk është më e mirë dhe më e keqe se institucionet tjera të mëdha. Disa udhëheqës të saj ishin të marrë, disa ushtarë ishin hajdutë, dhe të gjithë i shpenzonin paratë sikur të mos kishte të nesërme. Kjo është e vërteta dhe të gjithë e dinin. Por, jo më. Disa herë mendoj se jam njeriu i vetëm që ka qenë në ushtri. Kjo për shkak se shumicën që i njoh, janë profesionistë me arsim të lartë, shumica shkrimtarë. Por, nëse kaloj te politikanët dhe madje te personeli i Shtëpisë së Bardhë, nuk ka ndryshime të mëdha. Ushtria e sotme është hequr nga shoqëria në përgjithësi. Shumica janë të bardhë dhe, sipas një studimi të Fondacionit Heritixh, kryesisht jugorë. Anglia e Re është pak e përfshirë, ashtu si dhe qytetet e mëdha.
Përfshirja vullnetare në armatë ka bërë që Amerika të zhvillojë dy luftëra, ndërkohë që qytetarët e saj nuk dinë gjë as për viktimën e vetme që ka luftuar jashtë vendit. Kjo është pasojë e kulturës dhe e klisheve lidhur me shërbimin për vendin tënd, kur nderohesh dhe shihesh si romantik nga ata që për asnjë çast nuk do ta bënin të njëjtën gjë. Kështu e fitoni pasqyrën. Kur jemi te pasqyra, shtrohet pyetja se çfarë nuk shkon aty? Janë disa gjëra.
E para, armata e largët na mundëson që të zhvillojmë luftëra për të cilat opinioni i përgjithshëm është mjaft indiferent. Po të kishte ndonjë propozim, lufta në Irak mund të mos ishte bërë kurrë, apo ndoshta do të prodhonte protesta civile si për Luftën e Vietnamit. Debakli në Irak u mundësua nga ushtria profesioniste dhe nga zhytja në borxhe. Xhorxh Bushit nuk i duhej trupi yt, atij i duheshin paratë tuaja. Jugorët mund të luftonin, ndërsa të huajt mund t'i blenin bonot. Për arsye të kuptueshme, asnjë këngë e madhe nuk doli nga lufta në Irak. Problemi qëndron në faktin se ushtria është bërë si klerikët. Ajo virtualisht adhurohet për cilësitë e admirueshme të saj, kurse mangësitë mezi po përmenden.
Qëndrimi i tillë bën që civilët ta kenë vështirë ta vënë në pikëpyetje ushtrinë, madje as kryekomandanti. Duajt Ajzenhauer mundej, sepse kishte pesë yje mbi supe. Hari Truman luftoi në njërën luftë botërore, Xhon Kenedi dhe Xherald Ford në luftën tjetër, por politikanët e sotëm civilë e kanë të vështirë.
Kjo është edhe një arsye tjetër të mbahet zi për vdekjen e Riçard Hollbrukut. Ai mësoi në Vietnam se yjet nuk e bëjnë njeriun të pagabueshëm, ndonjëherë e bëjnë vetëm arrogant.

Katari njeh pavarësinë e Kosovës

Katari është shteti i parë që e ka njohur Kosovën këtë vit. Lajmi për njohjen nga ky shtet arab erdhi nga ambasada e Kosovës në Nju Jork, e cila ka njoftuar se ka pranuar letrat kredenciale për njohjen zyrtare të Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar edhe zëvendësministrja në largim e Punëve të Jashtme, Vlora çitaku.
Ky shtet i kishte premtuar njohjen muaj më parë edhe kryeministrit në largim të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës së këtij të fundit në këtë shtet. Me këtë njohje janë bërë gjithsej 73 njohjet e Kosovës si shtet të pavarur. Shteti i fundit që e njohu Kosovën, ishte Tuvalu, në nëntor të vitit të kaluar. Kjo njohje erdhi në kohën kur u shtua droja se numri i njohjeve mund të stagnojë pas raportit të Dik Martit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, ngase ky raport reflektoi tejet negativisht jo vetëm në shtimin e njohjeve, por edhe në imazhin e shtetit në të ri.

Bruksel
Zyrtarët kritikojnë planin grek për ngritjen e gardhit kufitar

Brukseli është distancuar nga vendimi i Greqisë për të ngritur një gardh në kufirin me Turqinë. Zyrtarët kanë shprehur dyshimin për efikasitetin e tij edhe pse Athina është shprehur e vendosur që t’i japë fund fluksit të klandestinëve, që arrijnë në 1 milionë vetë. Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Kristos Papucis, bëri të ditur dy ditë më parë se ishte vendosur ngritja e një gardhi rrethues 12.5 km të gjatë prej telash me gjemba në ultësirën e lumit Evros, në kufirin e saj me Turqinë, për parandalimin e fluksit të emigrantëve klandestinë afrikanoaziatikë. Duke iu referuar përmasave të mëdha të fluksit të klandestinëve, që aktualisht në vend arrijnë pothuajse në 1 milion vetë, në komunikatë thuhet se vetëm “katër vitet e fundit numri i tyre arriti në 512. 000 vetë. Vetëm nga Turqia dhjetëmujorin e parë të vitit 2010 kanë hyrë rreth 50.000 imigrantë klandestinë, nga të cilët 43.500 nga lumi Evros”.
Në këto kushte ministri kërkon mirëkuptim ndaj kursit të shpallur, të cilin e quan “obligim absolut ndaj qytetarëve grekë, por edhe vlerave evropiane” dhe u përgjigjet zërave kritikë, brenda por edhe jashtë vendit, kryesisht të medias përfshirë edhe atë turke, të cilat nuk munguan ndërkohë të shënojnë dhe “të dretën e vendit fqinj të vendosë mënyrën, se si do të mbrojë kufirin e tij”.

SHBA
Shvarceneger jep dorëheqjen nga posti i guvernatorit

Ndërsa Arnold Shvarceneger i thotë lamtumirë postit të guvernatorit pas 7 vjetësh, duket se ai më tepër do të mbahet mend për filmat e pavdekshëm, sesa për arritjet politike.
Kjo mund të ndodhë pasi zoti Shvarceneger, që është i lindur në Austri, pas dy mandatesh në këtë post, po largohet me trashëgimi të përzier dhe me miratime projektligjesh prej vetëm 23 për qind. Gjatë fjalimit të tij inaugurues në vitin 2003, zoti Shvarceneger, anëtar i Partisë Republikane, ka premtuar bashkëpunim me ligjvënësit shtetërorë. Pas detyrës së guvernatorit, Shvraceneger ka sugjeruar se ndoshta mund të kthehet në Hollivud.

5 Janar 2011

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›