Raporti i Martit, Ina Rama strategji hetimi me EULEX-in
Tiranë- Akuzat e raportuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty, për trafik organesh nga eksponentë të njohur të UÇK-së, kanë sjellë dje në Tiranë prokuroren speciale të EULEX, e cila ka kërkuar bashkëpunimin e Prokurorisë shqiptare në hetimet e saponisura. Zyra e shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme, tha dje se kryeprokurorja e EULEX, Isabelle Arnal zhvilloi një takim me kryeprokuroren Ina Rama, ku u hartua edhe një strategji bashkëpunimi, për t’u shkuar deri në fund verifikimeve mbi të dhënat që Marti jep në raportin e tij. Prokuroria shqiptare ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën që do t’i kërkohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, lidhur me këtë çështje, që prej rreth një muaji është bërë objekt i një debati të gjerë, jo vetëm në qarqet shqiptare, por edhe në organizmat ndërkombëtarë. “Qëllimi i takimit ishte hartimi i një strategjie për bashkëpunimin, për të ardhmen midis dy institucioneve në hetimin e këtyre akuzave dhe bashkërendimin e veprimeve hetimore” - tha zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme. Sipas saj, prokuroria shqiptare, përveç detajeve teknike, ka ofruar edhe bashkëpunimin e saj për hetimin e këtyre akuzave, në bazë të kërkesave të Prokurorisë speciale të Kosovës. Nga burime zyrtare mësohet se Prokuroria e EULEX, që kryesohet nga Isabelle Arnal, ka nisur tashmë një hetim të detajuar, për verifikimin e të dhënave që raportuesi i KiE jep në raportin e tij, i cili akuzon Hashim Thaçin dhe eksponentë të tjerë të UÇK, se kanë përdorur serbët e kapur rob, për t’u marrë organet. Madje, Marti deklaron në raport se “shtëpia e verdhë”, në Gurrë të Matit, ka shërbyer si burg për robërit, të cilët pasi drogoheshin me qetësues, dërgoheshin në një shtëpi në Fushë-Krujë, ku i nënshtroheshin operacionit, me qëllim marrjen e organeve. Të gjitha këto dyshime, që deri tani rezultojnë të pabazuara në prova konkrete, do të kalojnë në një proces hetimi nga EULEX në Kosovë. Procesi investigues, që sapo ka nisur në vendin fqinj, pritet të përfshijë edhe Prokurorinë shqiptare, pasi sipas raportit të Martit, gjithë operacioni final për marrjen e organeve është kryer në të ashtuquajturat klinika në vendin tonë. Deri tani, Prokuroria e Përgjithshme konfirmon se nuk ka një hetim zyrtar nga ana e këtij institucion, pasi këto akuza janë verifikuar që prej vitit 2004, kur ish-prokurorja e Gjykatës së Hagës hodhi të njëjtat dyshime. Por pavarësisht verifikimeve të kryera, organi qendror i akuzës pohon se do të vërë në shërbim të Prokurorisë speciale të Kosovës gjithë ndihmën e nevojshme që do të kërkohet, kjo në përputhje me kuadrin ligjor të Republikës së Shqipërisë. Vetëm pak kohë më parë, prokuroritë e të dy vendeve nënshkruan një marrëveshje mes tyre, sipas të cilës, atyre u lind e drejta e shkëmbimit të informacionit dhe provave për çështje të rëndësishme, si krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, apo terrorizmi. Për rastin në fjalë, Prokuroria pohon se ende nuk ka marrë asnjë kërkesë konkrete për ndihmë, në kuadër të hetimit të nisur nga Prokuroria speciale e Kosovës, por gjatë takimit të djeshëm, znj. Isabelle Arnal dhe nga zv.prokurores Sevdije Morina, u është ofruar një panoramë rreth verifikimeve që janë bërë për këtë çështje në vitin 2004 nga hetues të Tribunalit të Hagës.