Spahiu: Zvarritja e gjyqeve, asnjë justifikim për prokurorët
Tiranë- Nënkryetari i Këshillit të Lartë i Drejtësisë, Kreshnik Spahiu kërkoi dje nga gjyqtarët penalistë të aplikojnë gjykim të pandërprerë për çështje të rëndësishme, duke i dhënë fund kështu zvarritjes së proceseve gjyqësore. Në një konferencë për shtyp, Kreshnik Spahiu paraqiti dje rezultatet e inspektimeve të kryera në gjykatat e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Vlorë dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë. Sipas tij, nga ky inspektim, i kryer në bashkëpunim edhe me inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, janë identifikuar disa problematika, të cilat mund të zgjidhen me zbatimin e një sërë masash, të cilat do të përmirësojnë situatën në gjykata. Sipas Spahiut, inspektimi ka pasur si qëllim çështjet me objekt veprat penale veçanërisht të rënda, siç janë vrasjet, trafikimet shpërdorimet e detyrës, por edhe çështja me 29 të akuzuar, si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, e cila dje shënoi seancën e 18 të shtyrë. “Me rezultatet e inspektimeve dhe çdo verifikim të çështjeve, të cilat kanë një ndikim të gjerë publik, është njohur në mënyrë sistematike dhe frekuente Presidenti i Republikës, për shkak të interesimit të tij, por dhe të pozicionit kushtetues së kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë” - tha Spahiu. Sipas tij, në analizë të rezultateve të këtij inspektimi, problematikat kryesore të gjykimit penal lidhen me një grup shkaqesh, të cilat sjellin si pasojë zvarritje të paarsyeshme dhe të tejzgjatura të gjykimit. Një nga masat më të rëndësishme, që sipas Spahiut do të përmirësonte situatën e krijuar, do të ishte zbatimi i gjykimit të pandërprerë. “Gjyqtarët duhet të ndërmarrin të gjitha masat dhe të zbatojnë të gjitha kompetencat që u jep ligji procedural penal, për të ndëshkuar të gjitha veprimet e paligjshme të palëve në proces, për zvarritjen e gjykimeve. Në disa çështje penale të inspektuara, “kontributor” për vonesa dhe zvarritje është dhe vetë organi i akuzës, si dhe avokatët” - tha Spahiu. Zv.kryetari i KLD-së tha se nuk ka asnjë justifikim që prokurori të mungojë pa shkak, në një seancë gjyqësore, apo të bëjë kërkesa të paarsyeshme për shtyrjen e saj. “Nuk gjejmë asnjë shkak të arsyeshëm, i cili të justifikojë përfaqësuesin e akuzës që ka hetuar, marrë provat dhe ka sjellë për gjykim çështjen në momentin që ai ka çmuar se gjithçka është e plotë dhe e provuar, të shtyjë dhe zvarrisë gjykimin e saj. Nuk ka asnjë justifikim që gjyqtari, i cili vëren këtë dukuri, ta tolerojë atë dhe të mos bëjë me dije Prokurorin e Rrethit, apo edhe Prokurorin e Përgjithshëm, për të marrë masa në rastet e nevojshme” - deklaroi Spahiu.