Raporti i Martyt, dëmton imazhin e Kosovës
Miratimi i raportit të deputetit zviceran, Dick Marty, në Asamblenë Parlamentare të Këshilli i Evropës, ka ngjallur sërish reagime në Kosovë. Sipas zyrtarëve të lartë të institucioneve dhe atyre të opozitës, me miratimin e këtij raporti, është bërë nje dëm i madh, dhe se është në interes të shqiptarëve që e vërteta të dalë sa më shpejt në shesh.
Presidenti në detyrë i Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se miratimi i raportit të Dick Marty-t, ka dëmtuar imazhin e Kosovës. Ai tha se Kosova do të fokusohet qe sa më parë të bëhen hetime rreth këtij raporti, duke kërkuar nga EULEX-i të fillojë hetimet rreth këtij rasti.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, miratimin e raportit të Marty-t e ka quajtur të dëmshëm për Kosovën. Isufi tha se raporti i Marty-t nuk është asgjë tjetër, veç se shpifje dhe i montuar politikisht nga Beogradi. Ai tha se Kosova do ta fitoj edhe këtë betejë sikurse edhe rastet e tjera.
Ish-komandanti i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, ka thënë se nuk ka ndjenjë më të keqe sesa kur dikush të akuzon për diçka nuk e ke bërë.
“Me të vërtetë, si shef i shtabit të UÇK-së, si shqiptar, nuk ndihem mirë, kur po dëgjoj që dikush, luftës sonë, përpjekjes sonë, po na i mbështet gjëra monstruoze që nuk kanë të bëjnë fare me të vërtetën”, tha Çeku. Por pavarësisht se raporti nuk është i vërtetë, ai tha se Kosovës i është bërë dëm i madh, dhe se është në interes të vendit që e vërteta të dalë sa më shpejt në shesh.