E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Martyt, dëmton proçesin e njohjeve të Kosovës

Numri i njohjeve të Kosovës si shtet i pavarur, sipas përfaqësuesve politikë, nuk i ka përmbushur pritjet e autoriteteve në Prishtinë. Përfaqësues të qeverisë në largim, por edhe ata të partive politike, vlerësojnë se edhe raporti i Dick Martyt reflektoi negativisht jo vetëm në shtimin e njohjeve, por edhe në imazhin e shtetit më të ri.
 

Zëvendësministrja në largim e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, thotë se efektet e para të këtij raporti do të pasqyrohen në pozitën dhe pozicionin e Kosovës para Këshillit të Evropës.
“Është e qartë që efekti i (raportit të Martit), do të jetë më i madh te vendet anëtare të Këshillit të Evropës dhe, po ashtu, do ta zvarrisë për një kohë anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm, gjë për të cilën ne si Ministri e Jashtme dhe si institucione tashmë kemi përgatitur tërë aplikacionin e nevojshëm”, thotë Çitaku .
 

Ndërkohë, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se raportet e tilla si i ai i Dick Martyt, mund të shihen si pretekst te disa vende, të cilat hezitojnë ta njohin Kosovën, që ta shtyjnë edhe për një kohë vendimin e njohjes. Gashi thekson se Kosova duhet të jetë më e shpejtë në reagime ndaj zhvillimeve të tilla, pasi në botë po krijohen pasqyra të ndryshme për Kosovën.
“Institucionet e reja nëse nuk mbërrijnë ta shpërndajnë një të vërtetë tjetër për këto zhvillime, siç është raporti i Dik Martyt, atëherë sigurisht që edhe mund të prodhojnë konsekuenca edhe në çështjen e imazhit. Imazhi i Kosovës me raportin e Dick Martyt përkohësisht mund të thuhet se është dëmtuar pak dhe duhet rikuperuar këtë në afatin sa më të shpejtë dhe mënyra më e mirë do të ishte sjellja e njohjeve të reja”, shprehet Gashi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›