LDD e Prishtinës kalon në LDK

Degët e LDD-së të Prishtinës prej të martës i janë bashkuar LDK-së. Vendimi është marrë në bazë të konsultimeve të kryetarëve të degëve pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ku LDD-ja nuk arritur të sigurojë vende në Kuvend.
Në një deklarate për shtyp, kryetari i të gjitha degëve të LDD-së të Prishtinë, Musli Mehaj, ka bërë të ditur se, duke u bazuar në realitetin politik të krijuar pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit dhe orientimit të elektoratit për krijimin e dy blloqeve politike, anëtarët e LDD-së në Prishtinë, me dëshirë kanë vendosur që t`i bashkohen LDK-së.
“LDK-në e konsiderojmë si parti e aderimit tonë natyror pasi kjo parti 21 vjet më parë u themelua nga presidenti ynë historik dr. Ibrahim Rugova. Me këtë rast ftojmë tërë anëtarësinë dhe simpatizantët që aktualisht janë të shpërndarë në disa parti te tjera, si dhe atyre që nuk janë të angazhuar në ndonjë parti tjetër, që t`i bashkëngjiten LDK-së”, thuhet në deklarate.
Mehaj ka ftuar simpatizantët e LDD-së në Deçan, Skenderaj dhe Drenas që më 9 janar të votojnë për LDK-në, në zgjedhjet e ripërsëritura parlamentare.