Raporti i OSBE, Wollfarth: Klima politike është përmirësuar, progres në luftën kundër kriminalitetit
Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth në raportin e prezantuar sot në Këshillin e përhershëm të OSBE-së për Shqipërisë thekson se klima politike u përmirësua gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit dhe institucionet kushtetuese bënë progres në rrugën për të rifituar funksionimin e tyre të plotë. “Pas vitesh amullie dhe bojkoti politik, si dhe pas demarshesh të përsëritura në lidhje me procesin politik nga Prezenca e OSBE-së dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, progresi në rrugën e reformave filloi me kthimin e plotë të Partisë Socialiste (PS) në Kuvend, në vjeshtën e vitit 2011 dhe me marrëveshjen pasuese, në muajin nëntor, për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore dhe të një grupi pune për rishikimin e Rregullores së Kuvendit dhe zgjedhjen, në muajin dhjetor, të Avokatit të ri të Popullit. Përveç kësaj, në fund të vitit 2011 dhe në fillim të vitit 2012 u miratuan një sërë ligjesh të rëndësishme, që kërkonin një shumicë të cilësuar votash prej tri të pestash, të parat vendime të tilla pas zgjedhjeve të diskutuara parlamentare të vitit 2009. Gjatë gjithë vitit, konflikte të herëpashershme politike çuan në zbehjen e, madje, në ngecjen e reformave, në një sërë sektorësh”. Sipas tij, dëshira e fortë kombëtare për integrim të vazhdueshëm evropian shërbeu, sërish, si një katalizator për zhvillim dhe ndihmoi në zbutjen e interesave partiake. “Gjithsesi, dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha “ndal dhe ec””. “Në perspektivë, çështja kryesore është nëse të dyja palët do të arrijnë të ruajnë impulsin për reforma në vitin 2013, një vit që, për nga forma që po marrin zhvillimet, duket se do të jetë një vit zgjedhjesh parlamentare tejet konkurruese”- thuhet në raportin e kreut të prezencës së OSBE-së në Tiranë.
Reforma Zgjedhore tregoi vullnetin ndërpartiak
Sa i përket reformës zgjedhore, hapi i parë i prekshëm, që tregoi vullnetin e partive politike për të kapërcyer ngërçin politik, u hodh me arritjen e një marrëveshjeje ndërpartiake, në Kuvend, por thekson edhe bllokimin që i solli politika kësaj reforme.
“Megjithëse ky komision vuajti nga disa periudha të parashikueshme bllokimi politik, gjë që shtroi nevojën e shtyrjes së mandatit të tij tri herë, ai më, në fund, mundi të prodhonte një tekst të rëndësishëm, i cili gëzoi konsensusin e gjerë të partive kryesore politike. Meritë e madhe u duhet njohur atyre që u përfshinë në këtë proces dhe, kryesisht, dy bashkëkryetarëve, si dhe anëtarëve të grupit të ekspertëve teknikë, nga PD-ja dhe nga PS-ja. Reforma u miratua, përfundimisht, nga Kuvendi, më 19 korrik dhe Kodi i ri Zgjedhor u dekretua nga Presidenti më 16 gusht dhe hyri në fuqi më 1 shtator”. Ai shprehet se tani theksi duhet vënë te zbatimi i plotë dhe me përpikëri i Kodit Zgjedhor, në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mund të përgatitet në mënyrë efikase për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. “Ashtu siç bëhet e qartë në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, arritja e kësaj detyre do të kërkojë që të gjitha palët politike të lënë mënjanë interesat vetjake partiake dhe të shfaqin vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sikurse me përgatitjen dhe përmbushjen e reformës zgjedhore, në fund, përgjegjësia për përgatitjen dhe mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve mbetet më së shumti në duart e drejtuesve kryesorë partiakë”- vijon raporti.
Zgjedhja e Presidentit, sipas kushtetutës
Në raportin e tij për këtë çështje kreu i prezencës së OSBE-së thekson se zgjedhja e presidentit ishte konform kushtetutës pavarësisht se nuk u arrit me marrëveshje nga të gjitha palët. “Ndërkohë që ishte në përputhje me Kushtetutën, procesi i zgjedhjes së Presidentit, i cili zgjati një muaj, nuk çoi në një marrëveshje ndërpartiake për ndonjë kandidat, duke u shoqëruar me akuza reciproke për mungesë vullneti politik dhe u zhvillua në një atmosferë mllefi politik”- thuhet në raportin e Wollfarth.
Reforma parlamentare, ende pa konsensus
Sa i përket reformës parlamentare, ndonëse është arritur një progres i mirë nga grupi i punës për rishikimin e Rregullores, ende nuk ka konsensus për dy çështje kryesore: kthimi i votimit të fshehtë për kandidatët e dekretuar nga Presidenti dhe balancimi i kohës për të folur në Kuvend për kryeministrin dhe kryetarin e grupit kryesor opozitar parlamentar. “Është tashmë e rëndësishme të shihet arritja e një marrëveshjeje, në këtë proces, bazuar në standardet parlamentare ndërkombëtare. Më pas, çdo rregull i ri do të duhet të zbatohet plotësisht”- thekson Kreu i OSBE-së.
Përparim në proceset legjislative
Sa u përket proceseve legjislative, Wollfarth vëren se ka një lloj përparimi në mekanizmat e konsultimit të përdorur nga autoritetet kombëtare.
“Megjithëse përfshirja e shoqërisë civile është përmirësuar vërtet, nevojitet ende një qasje më e strukturuar. Nevojitet të bëhet shumë më tepër për krijimin e një mjedisi politik më gjithëpërfshirës në Kuvend. Mbeten ende për t’u miratuar disa rregulla specifike për konsultimin dhe transparencën në procesin legjislativ. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për sigurimin e aksesit qysh në fazat e hershme dhe për të rritur transparencën e gjithë procesit të shqyrtimit të projektligjeve. Ndonëse në të gjitha demokracitë moderne, e drejta për të qeverisur është një fakt i pamohueshëm, ekziston gjithashtu qartësisht edhe e drejta e opozitës për t’u përfshirë plotësisht në procesin legjislativ parlamentar dhe për të pasur hapësirë të mjaftueshme politike për të marrë frymë.
Pritet garë e egër në zgjedhjet e ardhshme
Ambasadori i OSBE-së bën edhe parashikimin për zgjedhjet e vitit 2013, ku sipas tij pritet të jetë një garë e egër, nisur nga përvoja e zgjedhjeve të shkuara. “Në ndërthurje me zhvillimet aktuale të përshkruara këtu, mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shohin një garë shumë të egër. Duke mbajtur parasysh që dita e votimit, me të ngjarë, do të jetë në fund të qershorit 2013, i tërë cikli i zgjedhjeve, përfshirë procesin e apelimeve pas-zgjedhore dhe përsëritjen, gati të pashmangshme, të zgjedhjeve në një numër zonash, mund të zgjasë deri në fund të shtatorit. “Zgjedhjet më të fundit të përgjithshme të 2009-s dhe ato për qeverinë vendore të 2011-s dëshmuan periudha para dhe pas-zgjedhore tejet të polarizuara dhe të politizuara, të cilat janë ende shumë të gjalla në kujtesën politike të publikut. Nisur nga kjo përvojë, në ndërthurje me zhvillimet aktuale të përshkruara këtu, mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shohin një garë shumë të egër. Duke mbajtur parasysh që dita e votimit, me të ngjarë, do të jetë në fund të qershorit 2013, i tërë cikli i zgjedhjeve, përfshirë procesin e apelimeve pas-zgjedhore dhe përsëritjen, gati të pashmangshme, të zgjedhjeve në një numër zonash, mund të zgjasë deri në fund të shtatorit. Në pjesën më të madhe të dymbëdhjetë muajve të ardhshëm, shumica e vëmendjes kombëtare – e publikut, e medias dhe e klasës politike konkurruese – do t’i kushtohet fushatës politike. Vëmendja e publikut të gjerë do të përqendrohet më shumë në pyetje si kush do t’i fitojë zgjedhjet, sesa si të çohet përpara me sukses axhenda komplekse dhe kërkuese e reformave”.
Përparim i pakët në shtetin e së drejtës
Kreu i OSBE-së citon më tej në raport se sa i përket shtetit të së drejtës, përparimi ka qenë relativisht i pakët. Sipas tij, Shqipëria vazhdoi t’u drejtohet mjeteve legjislative, në vend që të përqendrohet te përmirësimi i zbatimit të legjislacionit ekzistues.
“Në përgjithësi, perceptimi i publikut – duke përfshirë atë të investitorëve dhe bizneseve të huaja të mundshme – për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave mbetet i ulët. Çfarëdo përmirësimi thelbësor do të varet, kryesisht, nga vullneti politik për të ndërmarrë një reformë gjithëpërfshirëse, me synim arritjen e rezultateve në fushat kyçe të pavarësisë së gjyqësorit, veçanërisht sa i përket emërimit dhe vlerësimit të gjyqtarëve, duke përfshirë transferimet e mundshme, ngritjen në detyrë dhe masat disiplinore. Në këtë kuptim, vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për ngritjen e një sistemi vlerësimi për kandidatët e mundshëm për kryetar gjykate, si edhe kryerja e inspektimeve të këtyre kandidaturave, mund të konsiderohet si një hap përpara”
Policia përparim në luftën kundër krimit
Në luftën kundër krimit, policia e shtetit ka shfaqur përmirësim të dukshëm në disa fusha, sidomos në luftën kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike dhe në menaxhimin e kufirit.
“Janë kryer operacione policore antidrogë intensive, duke sjellë një rritje të konfiskimeve brenda Shqipërisë dhe një rënie në drogat që arrinin të kalonin tranzit. Megjithëse kultivimi i kanabis-sativës vijon ende në disa zona, shkalla e kultivimit është ulur ndjeshëm. Megjithatë, policia do të ketë sukses të plotë në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike vetëm me mbështetjen e plotë të autoriteteve vendore dhe komuniteteve të tyre përkatëse. Rezistenca ndaj zbatimit të ligjit është veçanërisht e lartë në një komunë në jug të vendit, ku, si pasojë, përpjekjet e policisë janë intensifikuar, përmes asistencës së shteteve fqinje”.
Përmirësime në lirinë e medias
Në reformën e medias, Wollfarth thekson se ka pasur përmirësime në rritje sa i përket lirisë së medias. “Dënimet me burg janë hequr për gazetarët e akuzuar për fyerje dhe/ose shpifje dhe ndryshimet legjislative siguruan që zyrtarët shtetërorë të mos i padisin gazetarët për raportime për punën e tyre. Gjithsesi, Kuvendi nuk arriti ta dekriminalizonte fyerjen dhe shpifjen siç synohej fillimisht”.