E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa mandat dhe pa elektorat, një histori e aleatëve të pafat të Edi Ramës

E majta shqiptare, nën hyqmin e Partisë Socialiste, është anomalia më e madhe që politika shqiptare ka pasur ndonjëherë. Një fenomen vetë-konsumimi që mund të studiohet në të ardhmen. është e vetmja parti që kërkon që të lyejë fasadën e kampit të majtë, me elementë sipërfaqësorë kolegjialiteti. Bëhet fjalë për një frymë kolegjiale artificiale pa pikë interesi shoqëror, pasi aleatët e Partisë Socialiste të marra të gjitha sëbashku as nuk shkojnë përtej 1.5%. Kemi një parti socialiste të stresuar dhe pa projekt politik. Në opozitën socialiste, Edi Rama është vetë ali e vetë kadi. E majta nuk ka ditur të ndërtojë një projekt politik. Nuk ka pasur kohë mes këtyre 9 muajsh të ndërlidhura me protesta e greva urie. Përveç demonizimit të kundërshtarit dhe bërjes së kodit zgjedhor e majta ka falimentuar të gjithë objektivat e saj. Partitë e majta, sot opozitë - pyesin njëra-tjetrën nëse janë gati për të qeverisur duke humbur thelbin e asaj çka i ofrojnë realisht elektoratit.

Partia Socialiste ka vetëm aksionin në marketing politik, aty ku luftohet me ciflime kauzash e baltosje imazhi nga partitë e vogla opozitare, të cilat janë artileria fotozhenike e ultimatumeve të posaçme për shtyp. Amplifikimi i aleatëve të Partisë Socialiste vjen e shfaqet përpara kamerave vetëm kur i shërben strategjisë së tensionit të Edi Ramës për të dhënë përshtypjen se mbështetet nga kategori të ndryshme shoqërore, nga një “popull opozitar”, nga njerëz që pa këto parti-vegla nuk do të përfaqësonin kauzën e opozitës përballë pozitës.

Kësisoj kemi personazhe si Spartak Ngjela, një avokat autodidakt, i cili është njëkohësisht kryetari i partisë “Ligj dhe Drejtësi”, me vetëm 1 anëtar - doli pas takimit me liderin e socialistëve, i kollitur dhe me rrufë euro-atlantike për të lëshuar ultimatumin e radhës, por kjo ftohje në tajare e avokatit ishte e qartë tash sa kohë qysh kërkonte të pushtonte kryeministrinë. Aspirant-Robespieri Ngjela deklaroi më keq se një jakobin gjatë daljes nga takimi në Hotel se duhet të ngrijë Ligji dhe Kodi Zgjedhor derisa të bëhet transparenca. Atij i ka mbetur ora tek “ngrirja” si Sekretar i Marrëdhënieve me Publikun në PD, pasi çimkoi me telefon të hapur në zyrat e parlamentit, çka kufizohet nga ligji për sigurinë kombëtare. Erion Veliaj flet për respektim dhe për pajtim të të gjithë kombit, kur pikë së pari duhet që ai vetë të respektojë dhe të pajtohet me ligjin dhe me prokurorinë, e cila e ka vënë nën hetim për evazion fiskal.

Sidoqoftë me relaksimin e klimës politikë - që duhet thënë se ishte goxha e tensionuar artificialisht - prania e tyre është pothuajse e panevojshme. Dhe punësimi i tyre me kontratë të plotë mbaroi. Që sot e tutje fillon përdorimi i tyre me kohë të pjesshme, pasi këta liderë mini-partish nuk janë as në parlament.
Shumë shpejt, aleatët e Ramës do të gjenden tashmë jashtë jetës aktive politike dhe mediatike - bile nuk janë as në parlament, as në komisione parlamentare - për vullnet të shefit të opozitës, i cili bëri një kod zgjedhor posaçërisht për të eliminuar çdo ndikim të tyre në përdorimin e Pushtetit. Këtë tendencë Edi Rama e tregoi më së miri edhe gjatë fushatës elektorale, kur censuroi daljen e partive të vogla nëpër debatet televizive, duke e kushtëzuar kështu vetëm pjesëmarrjen e kandidatëve të PS-së për deputetë. Në këtë situatë, praktikisht nuk ekziston më një koalicion i majtë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›