Raporti i UNESCO-s për Gjirokastrën:
Raporti i UNESCO-s për Gjirokastrën:
Ndërhyrje të palogjikshme në arkitekturë
Gërmime arkeologjike në kështjellën e Gjirokastrës. Ky është një nga sugjerimet e organizatës së mbrojtjes së trashëgimisë kulturore botërore, UNESCO. Në raportin e përvitshëm të publikuar së fundmi, specialistët vlerësojnë disa zhvillime pozitive dhe vënë në dukje një sërë problemesh që kërkojnë zgjidhje.
Ndërtimet dhe shtesat e ndërtimeve pa leje në zonën muzeale janë problemi më i mprehtë i Gjirokastrës, Pasuri Botërore e Njerëzimit. "Aspekti kryesor problematik lidhet me ndërtimet e paligjshme në Qendrën Historike të Gjirokastrës, që janë ndërhyrje kryesisht në elementët e jashtëm ndërtimorë dhe mbulesat e çative e monumenteve të kategorisë së parë dhe të dytë. UNESCO-ja ka kërkuar jo vetëm evidentimin e këtyre ndërhyrjeve të palogjikshme, por, gjithashtu, edhe një plan masash për riparimin dhe rikthimin e tyre në gjendjen e mëparshme.
Një aspekt tjetër ku ndalet misioni i vëzhgimit të UNESCO-s, është edhe mbrojtja ndaj zjarreve, po në zonën muzeale. Një tjetër çështje që prek raporti është menaxhimi turistik, ku kërkohet përcaktimi i strategjive të sakta, veçanërisht në lehtësimin e fluksit të vizitorëve, krijimin e resurseve të reja turistike dhe shërbimeve më cilësore për turistët", - është shprehur drejtori i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit-Muze, Rajmond Kola.
Një rekomandim specifik i UNESCO-s lidhet me kështjellën e qytetit të Gjirokastrës. Specialistët e trashëgimisë kulturore kërkojnë fillimin e gërmimeve arkeologjike në këtë objekt, në të cilin ka pak kërkime arkeologjike e studime shkencore për të përcaktuar në mënyrë përfundimtare fazat e zhvillimit. "UNESCO-ja i ka rekomanduar Institutit të Arkeologjisë, Qendrës Shqiptare të Arkeologjisë, si dhe institucioneve të tjera kulturore të shtetit shqiptar, që të angazhohen në këtë drejtim, pra në përcaktimin e fazave të zhvillimit të kalasë", - shprehet më tej Kola.
Të vetmet gërmime në kështjellën e Gjirokastrës kanë nisur të kryhen më shumë se 25 vjet më parë, por që asnjëherë nuk nxorën ndonjë konkluzion konkret. "Në vitin 1983, para se të ndërtohej skena e Festivalit Folklorik, u kryen disa gërmime, prej të cilave mund të dilnin në pah vlera ende të panjohura, por që më pas u lanë", - është shprehur drejtorja e muzeumeve, Teuta Kallajxhi.