Tramacere: Në teatrin modern mungon vdekja
"Pasioni i Trojaneve" hap Festivalin e Butrintit. Trupa italiane me një ndërthurje të historisë së dhimbjes dhe sakrifikimit të Krishtit, me atë të të fundmit të trojanëve. Regjisori Salvatore Tramacere: "Është hera e parë që një fëmijë flet në një tragjedi antike"
Butrint
Tragjedia "Trojanet" e Euripidit, ishte e para shfaqje e këtij edicioni të 10-të të Festivalit të Teatrit në Butrint. Në skenën antike, regjisorët italianë Antonio Pizzicato dhe Salvatore Tramacere, përcollën një shfaqje që përmbante pak këngë, pak muzikë, pak aktrim dhe historinë më të vjetër mbi dhe, atë të dhimbjes së një gruaje.
Performanca e trupës "Cantieri Teatral Koreja", që vinte nga Leçe, Itali, kishte për titull, "Pasioni i trojaneve", titull të cilin regjisori Salvatore Tramacere, i pranishëm në Butrint, e lidhi me vendin e tij të lindjes.
Në Salento kishte punuar për një këngë mbi mundimet e Krishtit, dhe kjo ka qenë shkëndija për të hequr një paralele mes sakrificës së Krishtit dhe të fundmit të trojanëve, Astianaksi, djali i Hektorit.
Në një skenografi të thjeshtë, ku muret e një qyteti të madh si Troja, janë paraqitur me një rresht të hollë gurësh të lëmuar, katër gra të veshura me të zeza si korba vajtuan për fatin e tyre.
Secila prej karaktereve, Hekuba, Kasandra, apo Andromaka, mbanin peshën e një tragjedie të veçantë. "Kjo është një shfaqje e dhimbjes", - do të shprehej regjisori Tramacere, dhe këtë dhimbje e ka transmetuar tek publiku duke i vendosur në një proporcion të drejtë të tri elementet e shfaqjes, aktrimin, lëvizjen, muzikën. Në intervistën e mëposhtme, ai rrëfen për trojanet italiane dhe disa mendime për teatrin antik dhe atë modern.
Z. Tramacere, është hera e parë që ju punoni me një autor antik? Me ç'qëllim zgjodhët Euripidin?
Ishte e vetmja mundësi për të larë hesapet me historinë tonë, me të shkuarën tonë. Unë vij nga një vend që, ashtu si Shqipëria, ka shumë tradita të forta, por nuk doja që shfaqja të ishte folklorike. Atëherë, nëpërmjet Euripidit, nëpërmjet këtyre shenjave të forta, arrita të flas gjuhën tonë, duke thënë gjëra të rëndësishme dhe universale edhe në ditët e sotme.
Aktorët flisnin në dy gjuhë, njëra kuptohej që ishte italishte, po tjetra...
Gjuha e aktorëve është një dialekt i vjetër grek, që quhet griko, është një dialekt që flitet në tokën tonë, Greqia Salentine, e cila dikur ka qenë koloni greke. Madje, të vjetrit ende e përdorin këtë gjuhë.
Ne kemi përdorur vetëm tingullin dhe theksin e saj, nuk na interesonte që të flisnim rrjedhshëm këtë gjuhë, sepse është një gjuhë e vdekur. Por ishte shumë interesante si tingull. Na pëlqeu ideja për të hyrë brenda botës antike nëpërmjet këtij çelësi. Qëllimi ishte që të tregonim se si mund të hynim ne në atë botë, duke e ditur që nuk jemi më në atë botë.
Vajin e Andromakës për humbjen e të birit, ju ia kishit besuar një kënge të vjetër shqiptare.
Zbulova që në punën që bëj, ka shumë Mesdhe, ka shumë Ballkan. Është një botë që përfshin shumë vende. Ideja lindi duke punuar. Unë nuk punoj kurrë në tavolinë. Puna jonë bëhet përditë në mënyrë të vazhdueshme. Artistët vazhdimisht sjellin propozimet e tyre dhe një nga këto ishte kjo këngë, që e propozoi muzikanti shqiptar, Admir Shkurtaj. E përdorëm, sepse muzikalisht, semantikisht dhe dramaturgjikisht, shkonte shumë me këtë moment.
Ju thatë se nuk punoni kurrë në tavolinë. Cila është metoda juaj e të punuarit?
Që në ditën e parë të punës, ngjitem në skenë. Nuk bëhen prova leximi të tekstit, sepse nuk ka asnjëherë një tekst. Tek teksti shkohet hap pas hapi, jemi ne që e ndërtojmë. Tekstet janë të ndërtuar në atë mënyrë që të gjithë mund të kenë të njëjtin tekst.
Pastaj, dalëngadalë, ky tekst thyhet si një gur në shumë pjesë, dhe secili merr pjesën e tij dhe rikompozohet dhe bëhet një tjetër gur, krejt ndryshe nga ai i pari. E rëndësishme është që të mbetet ajo atmosferë, me të cilën u nisëm dhe ajo ku donim të mbërrinim. Sepse ideja ishte të krijonim këtë lloj tragjedie, të jepnim idenë e Mesdheut, të një klime që i përkiste asaj bote.
Ju e keni ndryshuar edhe titullin e Euripidit në "Pasioni i trojaneve", përse?
Sepse në këtë shfaqje nuk janë vetëm trojanet, por është edhe Iliada dhe disa pjesë të tjera. Tek "Trojanet", Astianaksi nuk flet, aty është një fëmijë që hidhet nga muret e Trojës. Ndërsa në shfaqjen tonë, fëmija, për herë të parë (të paktën qysh kur unë njoh teatrin) flet, dhe bëhet protagonist në tragjedi.
Normalisht, në tragjeditë, fëmijët gjithmonë braktisen sakrifikohen, ndërsa këtu ai flet dhe thotë që nuk dëshiron të bëjë luftë. Dhe kjo nuk është e shkruar tek "Trojanet". Duket sikur kemi luajtur "Trojanet", por nuk është e vërtetë, sepse është një kompozim i shumë gjërave, është historia e Shën Mërisë që nuk ka të bëjë me "Trojanet". Historia e Krishtit i përket një bote tjetër, por ishte e rëndësishme, sepse bashkuam sakrificën e Krishtit me atë të Astianaksit. Kemi krijuar një lloj paraleleje mes dy historive, për t'i dhënë forcë dhe universalitet.
Sepse edhe nëse dikush nuk e njeh historinë e trojaneve, në njëfarë mënyre mund të marrë mesazhin. Ne, në mënyrë të ndërgjegjshme kemi sjellë një shfaqje ku vdekja është prezente dhe jo e evokuar. Po tregoj që ky personazh po vdes me të vërtetë. Kjo është një ide interesante, që në teatrin modern nuk ekziston më. Vdekja evokohet, sepse është gjithmonë frika e thënies së të vërtetës. Është një rikthim në teatrin antik kjo mënyrë e të bërit teatër.
Çfarë emri mban shkolla në të cilën ju jeni bërë regjisor?
Ne jemi një grup artistësh që kemi studiuar në mënyrë autodidake, i kemi zgjedhur ne mësuesit tanë, duke punuar me ta edhe ata duke punuar me ne. Unë kam punuar me një aktor argjentinas, që quhet Sesar Bri. Jeton në Bolivi, në xhungël, punon dhe bën teatër me fshatarët. Pastaj kam punuar me Pina Bausch në Gjermani. Ishte komplet një punë tjetër. Kam qëndruar gjashtë muaj në shkollën e saj, në vitin 1991-'92. Këto janë eksperiencat më të rëndësishme të miat. Por, në fund të fundit, gjithkush bën atë që di të bëjë, jo atë që di të bëjë më mirë, por atë që do të nxjerrë jashtë.
Çfarë keni përfituar nga puna me Pina Bausch?
Kur studion, gjëja më e rëndësishme është të harrosh studimin. Sipas meje, nuk duhet studiuar në mënyrë që më pas të përsërisësh atë që ke mësuar. Gjërat duhen thithur. Nga shkolla e Pinës, sigurisht që kam marrë artin e precizionit, saktësisë, artin e rregullit, artin e të qenit shumë të pastër, elegancën. Këto janë të gjitha gjëra që mësohen atje.