Enio Morikone hap "Verën e Ohrit"
Edicioni i 49-të i "Verës së Ohrit", festivali ndërkombëtar maratonë që zhvillohet çdo verë në qytetin e Ohrit, me mbështetjen e UNESCO-s, është hapur të dielën në mbrëmje.
I pari që ka përshëndetur aktivitetin është një legjendë e gjallë e muzikës së filmit, kompozitori italian Enio Morikone. Shfaqja përuruese e Morikones i ngjante një spektakli të madh dhe u drejtua nga një orkestër prej 100 instrumentistësh, si dhe një kor prej 100 interpretuesish.
Publiku i panumërt e priti shfaqjen e kompozitorit me ovacione të gjata. Shfaqja kaloi më shumë se dy orë me interpretime, që të gjitha nga krijimtaria e Morikones. Gjatë gjithë jetës ai ka shkruar 570 vepra muzikore, pjesa dërmuese e tyre muzikë filmash. Në vitin 2007 u vlerësua me çmimin e karrierës "Oscar".
Sipas drejtorit Tonin Simonovski, shfaqja e së dielës e Morikones ishte shumë dinjitoze për të hapur këtë festival prestigjioz, ku marrin pjesë yje nga e gjithë bota.
Në këtë skenë janë ngjitur artistë të tillë, si tenori i famshëm Hoze Karrera, trupa e Balshoj Teatër e Moskës dhe artistët shqiptarë apo me origjinë shqiptare, si Angjelin Perljocaj, Tedi Papavrami, Inva Mula, kitaristi Ehat Musa, trupa shqiptare të teatrit etj.
Në programin e kësaj vere janë 10 shfaqje nga artistë dhe trupa shqiptare me pjesë nga më të mirat. Marrin pjesë rreth 60 trupa dhe interpretues më me emër nga Amerika, Franca, Anglia, Rusia, Bullgaria, Serbia etj. Programi i plotë dhe pjesëmarrësit shpallen këtë javë.
Festivali filloi më 12 korrik dhe përfundon në fund të muajit gusht, kur mbyllet sezoni veror.
Në natën përuruese ka marrë pjesë, përveç Presidentit maqedonas Gjorgji Ivano, edhe Presidenti ynë, Bamir Topi dhe ai i Kosovës, Fatmir Sejdiu .