Një shans për të shpëtuar Shën Kollin
Një nga pikturat murale më të rralla dhe më në gjendje kritike në kishën e Shën Kollit, në Kalanë e Beratit, e pikturuar nga Onufër Qiprioti, ka të ngjarë të shpëtojë, nën kujdesin e UNESCO-s dhe mbështetjes financiare të qeverisë italiane
Berat
Kisha e Shën Kollit në Kalanë e Beratit, e pikturuar nga Onufër Qiprioti, një monument kulture i shekullit të XVI, ka filluar të restaurohet. Ky është lajm vërtet i mirë, sepse në ansamblin e Kalasë së Beratit, me kishat e pikturave murale të rëndësisë së veçantë, jo vetëm për vjetërsinë, por edhe për shkollën e artit bizantin dhe vlerat e atyre si art ikonografik që përfaqësojnë, Kisha e Shën Kollit dhe afresket e saj janë më të veçantat.
Nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e UNESCO-s, në këtë kishë kanë filluar punimet, në kuadër të një projekti që po realizon Qendra e Konservimit dhe Restaurimit të Monumenteve të Kulturës, që UNESCO-ja ka ndihmuar të hapet brenda Institutit të Monumenteve të Kulturës. Financiarisht, ndërhyrja po bëhet e mundur falë mbështetjes së Qeverisë Italiane.
Përfaqësuesja e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe e Qendrës së Konservimit, Edlira Çaushi, ka pohuar se fondi i dhënë nga UNESCO-ja për Qendrën e Konservimit dhe Restaurimit të Monumenteve të Kulturës, është rreth 1.3 milionë dollarë dhe në të përfshihen një sërë projektesh të rëndësishme që do të realizohen në të gjithë vendin, siç janë trajnimet, restaurimet në muzeume e parqe arkeologjike etj., ku përfshihet edhe qyteti i Beratit, në të cilin punimet e para kanë filluar të realizohen pikërisht në Kishën e Shën Kollit.
Çaushi ka theksuar se është një ekip prej 10 inxhinierësh e arkitektësh, të cilët, pas restaurimit të Kishës së Shën Kollit, do të fillojnë ndërhyrjen restauruese edhe në 3 monumente të tjera të rëndësishme të Beratit, në Kishën e Shën Mëri Vllahernës, në Kishën e Shën Triadhës dhe në Xhaminë e Kuqe.
Restauratorja ka pohuar se puna restauruese në Kishën e Shën Kollit, e cila paraqet probleme serioze për sa i përket konservimit të pikturës murale të saj, do të përfundojë në fund të muajit korrik, për të vijuar më pas me punimet restauruese në 3 monumentet e tjera të përmendura më lart.
Rajoni i Beratit ka 117 monumente të kategorisë së parë dhe 460 të kategorisë së dytë nga të gjitha gjinitë, kisha, xhami, banesa, ura, kala etj. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar se muret e kishës së Shën Kollit janë ndërtuar në shekullin e XVI.
Kjo është vërtetuar edhe nga mbishkrimi i vitit 1591 që ndodhet te pikturat në portën veriore të saj. Kisha ka një planimetri drejtkëndore dhe përbëhet nga naosi, kthina e altarit dhe absida trefaqëshe. Në kishë gjendet një kapitel i ripërdorur si altar për shërbesat fetare, i cili është një element i arkitekturës paleokristiane.
Kisha është pikturuar nga Onufër Qiprioti. Në pjesën e sipërme, nën konstruksionin e çatisë, është vizatuar brezi i profetëve. Në brezin e dytë të afreskeve janë pikturuar skena ungjillore dhe në brezin e poshtëm janë pikturuar martirët dhe apostujt.
Në anët e kishës ekzistojnë dy pjesë paraklisesh të rrënuara, nga të cilat njëra mbante emrin e Shën Anastasit dhe tjetra të Shën Thanasit. Në të dy anët e kësaj kishe ndodhen 2 shtresa në formë kapelash të vogla, në të djathtë të Kishës së Shën Kollit ndodhet Shën Thomai dhe në të majtë të saj Shën Andoni.