E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i USAID: 10 për qind e të trafikuarve bashkëpunojnë me organet e ligjit

Nga Bledar Lumani

Një raport i përgatitur nën kujdesin e USAID për trafikimin e qenieve njerëzore arrin në përfundimin se vetëm dhjetë për qind e femrave që janë trafikuar e që momentalisht ndodhen në strehëzat e posaçme, kanë vijuar bashkëpunimin me organet e ligjit. “Vetëm 10% e numrit gjithsej të viktimave të trafikimit të asistuar në strehëzat ka bashkëpunuar me institucionet e zbatimit të ligjit. Ndër arsyet kryesore për mosbashkëpunimin me organet e zbatimit të ligjit përfshihen: mungesa e besimit për mbrojtjen e ofruar nga institucionet e zbatimit të ligjit dhe prokuroria; kërcënimet dhe/ose frika nga trafikuesit, ose kundër viktimës, ose kundër familjes së saj; trysnia e ushtruar mbi familjet e viktimave për t’i bindur viktimat që të mos i denoncojnë trafikuesit; fakti që viktimat nuk i dinë të drejtat e tyre, si dhe vlerësimi i ulët për veten”, - thuhet në raport. Raporti u prezantua gjatë një konference për shtyp, ku mori pjesë ambasadori i Shteteve të Bashkuara, John L. Withers, II dhe zëvendësministrja e Brendshme, Iva Zajmi. Ky raport ofron një përmbledhje dhe një analizë të programeve dhe politikave antitrafik në Shqipëri, të lidhura në veçanti me shërbimet sociale dhe edukimin. Në këtë konferencë shtypi, ambasadori Withers nënvizoi rëndësinë e përpjekjeve, si të qeverisë, ashtu dhe të shoqërisë civile, në drejtim të antitrafikimit.

“Duke bashkuar të dhënat dhe duke krahasuar analizat dhe përfundimet, si raportet e shoqërisë civile, ashtu dhe ato të qeverisë, përfitojnë një legjitimitet më të madh. Kur njëtrajtshmëri informacioni për të dhënat rreth trafikimit i prezantohet publikut, krijon një besim më të madh në publik për sa i përket informacionit të prezantuar mbi këtë problem,” – tha ai.

Zëvendësministrja Zajmi tha se ky raport prezanton “një analizë shumë të mirë të tendencave të trafikut në qenie njerëzore, si dhe një prezantim të mirë të profilit të viktimës dhe të punës së bërë nga strukturat qeveritare dhe jo-qeveritare në vijim të përmbushjes së detyrimeve dhe përgjegjësive përkatëse.”

Raporti përmban një analizë të dhënash të nxjerra nga rastet e viktimave të trafikuara, të mbledhura nga “Koalicioni Kombëtar i Strehëzave Antitrafik”, të dhëna të cilat, sipas hartuesve, bien në kundërshtim me një numër supozimesh gjerësisht të besuara mbi shkaqet dhe cenueshmërinë e trafikut të qenieve njerëzore. Gjetjet kryesore përfshijnë: Shumica e viktimave të trafikuara rekrutoheshin në komunitetet e tyre të origjinës, nga dikush që ato/ata e njihnin personalisht, shumica e viktimave të trafikuara rekrutoheshin nga ato zona të vendit që janë më të urbanizuara, dhe nga ato qarqe që janë në gjendje më të vështirë ekonomike, më shumë se gjysma e viktimave të trafikuara, të asistuara në strehëza, e kanë përfunduar edukimin e detyrueshëm, mbi 90% e viktimave të trafikuara, të asistuara në strehëza, vijnë nga komuniteti shqiptar dhe vetëm 9% vijnë nga komunitetet e minoriteteve rome dhe egjiptiane-ballkanase.

Përfundimet e raportit

Policët e trajnuar për trafikun largohen nga puna

Një tjetër faktor i rëndësishëm që ka prekur nivelin e identifikimit dhe referimit të viktimave të trafikimit është numri i lartë i transferimeve, largimit nga puna dhe zëvendësimeve që kanë ndodhur brenda Policisë së Shtetit shqiptar në vijim të riorganizimit të saj në prill 2007. Nga muaji janar deri në mars 2007, Misioni i Komunitetit Evropian për Asistencën ndaj Policisë Shqiptare (PAMECA II), zhvilloi një sërë vizitash në terren në Pikat e Kalimit Kufitar (PKK), në Grupet Operative Speciale (GOS) dhe Stacionet e Mjeteve Lundruese (SML). Gjatë vizitave, PAMECA vuri re se 50% e personelit bazë e të mesëm të trajnuar të Policisë Kufitare dhe Migracionit ishte transferuar ose larguar nga shërbimi në kuadër të programit të zvogëlimit të Policisë së Shtetit. Gjatë këtyre vizitave në terren, ekspertët e huaj vunë re edhe një përdorim jo të efektshëm të pajisjeve të kontrollit kufitar.

Arsimi nuk është problemi kryesor i të trafikuarave

Studime dhe raporte të mëparshme të përgatitura nga organizma të ndryshëm qeveritarë e joqeveritarë pohojnë se niveli i ulët arsimor i viktimave të trafikimit është një nga faktorët më të rëndësishëm, për të mos thënë më i rëndësishmi, që krijon rritje të cenueshmërisë nga dukuria e të rënit pre e trafikimit. Të dhënat e raportuara nga strehëzat nuk e mbështesin këtë përfundim. Pothuajse një e dyta e të gjithë përfituesve dhe, konkretisht, e viktimave të trafikimit e kanë kryer arsimin e detyrueshëm 8-vjeçar, duke e lënë shkollën në moshën 14 vjeç. Ka shumë pak ndryshim mes nivelit të arsimit për viktimat e trafikimit krahasuar me kategoritë e tjera të përfituesve në strehëza. Tetëmbëdhjetë për qind e viktimave të trafikimit, ose e kanë filluar, ose e kanë përfunduar arsimin e mesëm (krahasueshëm me përqindjen e të gjitha kategorive të përfituesve). Tre përfitues gjithsej, nga të cilët një është viktimë e trafikimit, kishin diploma universitare, kur kanë hyrë në strehëz. Tridhjetë e pesë për qind e të gjithë përfituesve të strehëzave nuk e kanë kryer të plotë arsimin e mesëm.

17 për qind e viktimave janë fëmijë

Nga 114 viktimat e trafikimit të asistuara në strehëzat gjatë periudhës që mbulon raporti, 17% janë fëmijë (nën moshën 18 vjeç). Siç e tregon grafiku, përqindjet e përfituesve në total dhe veçanërisht të viktimave të trafikimit që u përkasin grupmoshave 12-17 dhe mbi 30 vjeç janë të krahasueshme. Ka vetëm një viktimë trafikimi që është nën 12 vjeç.

Shumica e të trafikuarave, nga Shqipëria e Mesme

Përfitueset e strehëzave vijnë nga të gjitha qarqet e vendit. Më shumë se një e dyta e tyre vijnë nga tri qarqet jugore të vendit (Fieri, Berati dhe Vlora); 27% vijnë nga tri qarqet qendrore (Elbasani, Durrësi dhe Tirana); 12% e viktimave të trafikimit vijnë nga katër qarqet e veriut (Lezha, Shkodra, Dibra dhe Kukësi); dhe 8% vijnë nga dy qarqet e mbetura të jugut dhe juglindjes, Gjirokastra dhe Korça.

Rekrutimi bëhet nga njerëz të afërm

58% e viktimave të asistuara në strehëzat gjatë periudhës që mbulon raporti ishin rekrutuar nga dikush që e njihnin; këtu përfshihen bashkëshortët, të fejuarit, fqinjët, familjarë ose të afërm të tjerë të viktimës. Kategori të tjera rekrutuesish përfshijnë të dashurit, një mik i ngushtë i babait të viktimës, të afërm të ish-të fejuarit dhe një person i njohur përmes telefonit. Vetëm 30% ishin rekrutuar nga të panjohur.

Shumë pak bashkëpunim me organet e ligjit

Vetëm 10% e numrit gjithsej të viktimave të trafikimit të asistuar në strehëzat ka bashkëpunuar me institucionet e zbatimit të ligjit. Ndër arsyet kryesore për mosbashkëpunimin me organet e zbatimit të ligjit përfshihen: mungesa e besimit për mbrojtjen e ofruar nga institucionet e zbatimit të ligjit dhe prokuroria; kërcënimet dhe/ose frika nga trafikuesit ose kundër viktimës ose kundër familjes së saj; trysnia e ushtruar mbi familjet e viktimave për t’i bindur viktimat që të mos i denoncojnë trafikuesit; fakti që viktimat nuk i dinë të drejtat e tyre, si dhe vlerësimi i ulët për veten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›