Rrënjët e regjimit hibrid në Shqipëri
Bazuar në nivelin e demokracisë që aplikohet në vend, Shqipëria u klasifikua përsëri si një regjim hibrid. Cilësia e ulët e qeverisjes së shqiptarëve nga qeveria e tyre ishte në fakt faktori kryesor që ndikoi për klasifikimin e regjimit politik të Shqipërisë në një nivel të tillë, që pas pothuajse 20 vjetësh, nuk mund të mos konsiderohet si poshtërues. Shqipëria nuk u klasifikua as si demokraci e plotë dhe as si demokraci e paplotësuar dhe nga ana tjetër, as si regjim autoritar, d.m.th., diktatorial. Ajo u klasifikua si regjim hibrid, që në thelb nuk nënkupton thjesht vendosjen e Shqipërisë midis dy grupeve të mëdha të sistemeve politike, por në radhë të parë shpreh bashkekzistencën në raporte të caktuara dhe pavarësisht nga njëri-tjetri të elementëve të të dy sistemeve, prandaj edhe është një absurd që vështirë të imagjinohet. Kjo do të thotë që Shqipëria nuk e ka rrëzuar akoma totalitarizmin, pavarësisht se sot nuk ka statuja diktatorësh në rrugë. Kjo do të thotë se ky vend nuk e pranon demokracinë ashtu siç është, jetësore, të gjallë, por e do të gjymtuar, deri në masën që e lejon atë të bashkëjetojë me mbeturinat e totalitarizmit apo me autoritarizmin shqiptar të dalë mode. Në botën e gjallë, prej ku është huazuar ky term, qeniet hibride krijohen nga bashkime qeniesh të gjalla me distanca të largëta gjenetike, të cilat kanë tipare komplementare, njëri ka diçka pozitive që tjetri s’e ka dhe anasjelltas. Prandaj pasardhësi apo qenia hibride është shumë vitale dhe e aftë të jetojë me sukses në ambientin që ndryshon vazhdimisht. Është jashtë çdo përfytyrimi, që në kontekstin shoqëror, hibridizimi të çojë në një sistem politik vital, aq më shumë kur vitaliteti i këtij sistemi përfytyrohet të zhvillohet nga ngjizja e sistemit diktatorial shqiptar, nga më të egërit në botë, me një sistem demokratik, që pretendohet se po lind. Përkundrazi, sistemet hibride janë shumë më të rrezikshme se demokracitë e paplotësuara, sepse, para së gjithash, mjegullojnë objektivin, krijojnë keqkuptimin e të jetuarit në një sistem demokratik, që në fakt sillet, funksionon si një sistem autoritarist. Të jesh një sistem që heziton për të aplikuar demokracinë, është më afër sistemit totalitar se sistemit të vërtetë demokratik. Ruhet formalisht liria për të votuar, liria e fjalës, dhe këto janë elementë të pjesës demokratike brenda regjimit hibrid. Por, përbindëshi, pra pjesa e edukatës, e formimit shpirtëror apo e stilit të zgjedhjeve politike të mësuar në totalitarizëm, nuk fle në anën tjetër të regjimit hibrid, në pjesën e autoritarizmit, që përkundrazi, është gjithmonë vigjilent. Ky përbindësh hidhet menjëherë në aksion, posa ndjen “erën” e zgjedhjeve. Është kjo arsyeja, pse vota ka qenë dhe është edhe sot e rrezikuar për t’u vjedhur nga politikanët, ashtu sikundër është kjo arsyeja, pse është kaq e vështirë për qytetarin të bëjë që zëri i tij të dëgjohet në shoqëri dhe nga politika.
Liria e të mësuarit ruhet formalisht në programin e qeverisë për liberalizimin e pranimeve në universitete dhe ky është një element demokratik brenda regjimit hibrid. Por, në thelb, secili është i privuar nga kjo liri për shkak të nivelit dramatik, në të cilin po zhytet sot shkolla. Diplomat nuk kanë qenë kurrë me cilësi më të ulët, tekstet nuk kanë qenë kurrë më të këqija, të paaftët nuk kanë qenë kurrë kaq të shumtë dhe kaq mizerabël në krye të sistemit, kërkimi shkencor nuk ka qenë kurrë kaq kërkim joshkencor, shkollat dhe universitetet nuk kanë qenë kurrë kaq të skllavëruara dhe pedagogët e vërtetë nuk kanë qenë kurrë më të poshtëruar se sot. Pra, qytetari shqiptar është i lirë të shkojë në një shkollë, vlera e së cilës është vënë në një dyshim të thellë. Regjimi hibrid të jep një gjë që nuk ekziston, sepse të jep lirinë për të shkuar në një shkollë që pothuajse nuk ekziston në këndvështrimin e standardeve.
Qeverisja ka bashkuar demokratë, punistë, pseudo-demokratë, të motivuar nga paratë. Bashkekzistenca e demokratëve me punistët, sipas modelit të qeverisë ekzistuese, pra sipas modelit të shokëve atje lart, është shtrirë vertikalisht poshtë, pothuajse në të gjitha institucionet, përfshi edhe ato me zgjedhje. Të gjithë po ndjekin të njëjtin model. Deri këtu forma e paraqitjes së vetë qeverisë, si një bashkim i shumë krahëve, mund të konsiderohet përfshirëse, çka është vendosur në pjesën e demokracisë të regjimit dypjesor, hibrid në Shqipëri. E keqja vjen se e ndërtuar kështu formalisht, kjo qeverisje nuk prodhon atë për të cilën është krijuar, pra nuk prodhon qeverisje. Kjo ndodh, sepse interesat politike të qeveritarëve brenda qeverisë janë të tilla që nuk mund të çojnë në formulimin e asnjë programi politik afatgjatë, në asnjë sektor të shoqërisë. Të bashkuar jashtë një bazamenti moral, qeveritarët rrinë së bashku në qeveri vetëm për një motiv: për t’i siguruar asaj një jetë të gjatë, megjithëse pa qeverisje. Është kjo arsyeja, pse secili anëtar i qeverisë mban një profil politik të ulët, njësoj si ministrat në sistemin autoritarist të viteve para ‘90, për t’i lënë të parit të gjithë hapësirën që i takon dhe që nuk i takon në një sistem demokratik.
Në Shqipëri pushtetet janë të ndara formalisht, ashtu sikundër decentralizimi i pushtetit brenda qeverisjes artikulohet shpesh si një vlerë nga qeveria, dhe kjo vlerë është vendosur në pjesën e demokracisë në regjimin hibrid shqiptar. Realiteti është ndryshe, pra është ndryshe ajo që ekziston në pjesën totalitare të regjimit hibrid. Janë të njohura sot veprimet konkrete të qeverisë për të tretur kufijtë e pushteteve midis qeverisë dhe drejtësisë, qeverisë dhe medieve me synimin e kontrollit të tyre. Ose, p.sh., po të analizohen financat e shtetit, pra ajo pjesë e tyre, pasi është bërë ndarja e buxhetit, e cila ka si destinacion institucionet, veçanërisht institucione si universitetet apo spitalet, shumë shpejt del në konkluzionin se asgjë nuk ka ndryshuar me mënyrën e përdorimit të kësaj pjese të buxhetit me sistemin totalitar të para viteve ‘90. Nuk është ndërtuar infrastruktura ligjore dhe joligjore për t’i financuar këto institucione sipas parimeve të një shoqërie demokratike. Financimi i tyre, edhe sot, bëhet mbi bazë të një shume historike, dhe jo sipas një modeli që në vetvete është nxitës për zhvillimin universitar apo shëndetësor. Akoma më shumë, paratë që i jepen këtyre institucioneve nuk përdoren prej vetë institucioneve mbi bazë të parimeve të autonomisë financiare dhe administrative, përkundrazi, përdorimi i tyre bëhet thellësisht i kontrolluar nga qeveria, nëpërmjet rregulloreve dhe urdhrave, çka e bën financimin jo nxitës për zhvillimin e këtyre institucioneve, përkundrazi, frenues të tyre.
. . .
Të qenit hibrid krijon edhe keqkuptimin më të madh: të menduarit se jeton në demokraci duke mos e pasur në fakt atë. Qytetarët jetojnë një realitetit të dyzuar: kudo, në media, në publik, në programet qeverisëse, në mesazhet që dërgon qeveria apo që i dërgohen qeverisë, pra kudo bëhet kujdes që të theksohet formati i jetesës në një vend demokratik, ndërsa në të njëjtën kohë, në jetën e tyre të përditshme, shqiptarët hasin pengesa që nuk i përgjigjen formatit të deklaruar, por atij formati politik, në të cilin ata jetonin para viteve ‘90. Kjo gjendje e dyzuar, ky keqkuptim, squll rezistencën e qytetarëve, të opozitës, në përcaktimin e qartë të luftës për ndryshimin e gjendjes. Të qenit edhe kështu, edhe ashtu mjegullon objektivat, e bën përpjekjen qytetare të paqartë, prandaj edhe me rendiment të ulët. Sepse pjesa më e madhe e energjisë së prodhuar nuk shkon për qëllimin e ndryshimit demokratik të vendit, për vrasjen e fantazmës të sistemit totalitarist, por për zhurmë, keqkuptime, shtrembërime faktesh, për procese që nuk përfundojnë asnjëherë. Në këtë pikëpamje, regjimi hibrid tashmë i instaluar në shoqërinë shqiptare, është në thelb një demokraci e harxhuar kot, ku ligji shihet vetëm si zbukurim, por jo detyrim për t’u zbatuar, sepse që te krijimi i tij nuk janë parë interesat e vendit, por interesat pjesore të njerëzve e grupeve që po rriten e po marrin një fuqi të frikshme në Shqipëri. Pra, që në krijimin e ligjit, si pjesë e ndërtimit demokratik të vendit, shihet vrasja e demokracisë, si një element esencial, mbi të cilin ndërtohen regjimet totalitare, autoritariste.
. . .
Që të mos kishim një regjim hibrid në Shqipëri, periudha e tranzicionit duhet të ishte në thelbin e saj një periudhë transformimi. Transformimi është në fakt një emërtim më i mirë sesa tranzicion, sepse e lidh kohën me synimin e shoqërisë për ta përdorur atë, që ta përdorë kohën për transformimin plotësisht të vetvetes nga një shoqëri totalitariste në një shoqëri demokratike. Transformimi do të lidhej ngushtësisht me shkatërrimin e institucioneve të diktaturës në radhë të parë, dhe pastaj, në boshllëkun e mbetur, të ndërtoheshin institucionet e demokracisë. Kjo do ta zeronte shansin e bashkekzistencës së totalitarizmit me demokracinë, pra do të zeronte edhe shansin e krijimit të një regjimi hibrid në Shqipëri. Në fakt, kjo nuk ka ndodhur. Sepse qeveria ekzistuese, por edhe qeveritë përpara saj, nuk kanë pasur vullnet politik për të ndërmarrë reforma të thella, dhe aq më shumë, nuk kanë pas vullnetin e duhur politik për t’i çuar ato deri në fund. Ky dështim ka ndodhur në çdo sektor të zhvillimit të shoqërisë në Shqipëri. Prandaj, është jashtë çdo dyshimi, që regjimi hibrid si bashkëjetesë e të sotmes me të djeshmen, është ekzistent në të gjithë gjeografinë shoqërore shqiptare.
Ekzistenca e hibrideve në botën biologjike ka një veçori esenciale, që ndoshta është e vetmja që mund të konsiderohet si e vërtetë, pra e aplikueshme edhe për botën shoqërore në Shqipëri. Në bashkimin biologjik për të formuar hibridin, disa karakteristika të njërit prej prindërve dominojnë karakteristikat simetrike të së njëjtës natyrë të prindit tjetër. Prandaj, te hibridi i lënë si pasardhës, karakteristikat dominuese të trashëguara nga njëri prind, janë ato që duken, dhe si të tilla, ato shtypin karakteristikat e së njëjtës natyrë të ardhura nga prindi tjetër, të cilat qëndrojnë të fshehura. Në regjimin hibrid shqiptar, elementët e totalitarizmit ekzistojnë si elementë të përmbajtjes së qeverisjes, ndërsa ato të marra nga sistemet demokratike janë formalë, të dukjes më shumë sesa të përmbajtjes. Është pikërisht kjo arsyeja pse në regjimin hibrid shqiptar, elementët e sistemit totalitarist të trashëguar janë në dominancë ndaj elementëve të së njëjtës natyrë të marra nga sistemet demokratikë, të cilët praktikisht ndodhen në gjendje recesive, të fshehur. Kjo e vë regjimin hibrid shqiptar në një pozitë më afër sistemeve autoritare se atyre demokratike, apo atyre me demokraci të paplotësuar. Sepse, në mungesë të reformave të vërteta, Shqipëria ka humbur edhe mjetet për të ndryshuar shoqërinë, ka humbur mjetet për shkatërrimin e pjesës totalitare të regjimit hibrid. Ligjet e miratuara në parlament, në pjesën më të madhe të tyre, kanë një përmbajtje që jo vetëm nuk krijon hapësirë për reformë, por përkundrazi, e kufizojnë atë. Në këtë pikëpamje, në mungesë të hapësirës ligjore, jo qeverisja, por mjetet për të realizuar qeverisjen janë konsumuar. Pra, nuk ka më mjete për të ndryshuar arsimin, nuk ka më mjete për të ndryshuar qeverisjen në shëndetësi, nuk ka më mjete për të ndryshuar qeverisjen apo vetëqeverisjen e sistemit të drejtësisë, sepse nuk ka hapësirë ligjore që reformat të ndodhin. Pavarësisht nga fakti se zgjedhjet politike po afrohen, për një sy të vëmendshëm, shterimi i të gjitha mundësive dhe mbyllja e hapësirës për demokraci, prej kohësh kishte sjellë nevojën e përdorimit të mjeteve politike për ndryshimin e gjendjes në vend.