E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota në kohën e Obamës

Marre nga “La Repubblica”
Ka fituar Shtëpinë e Bardhë në emër të ndryshimit, duke kuptuar më së miri shqetësimet e unionit të shteteve, racave dhe grupeve socialeve, edhe atyre që kanë votuar për Mekkein.... 

... Nuk ka dyshim se gjendja e ekonomisë dhe shqetësimi për rënien dhe papunësinë kanë lënë në hije temat e tjera të një fushate të gjatë dhe të torturuar nga goditjet e befasishme. Por nuk ishte vetëm ekonomia ajo që e bëri atë të mobilizonte të gjithë elektoratin, të nxiste pjesëmarrjen rekord në votime dhe të ndihmonte demokratin t’u shkaktonte republikanëve një disfatë të rëndë.
Energjia dhe komunikimi i kandidatit të palodhur, organizimi i vullnetarëve deri në detaj, aftësia e bashkëpunëtorëve, fushata për regjistrimin në listat elektorale, fluksi shumë i madh i kontributeve financiare që e kanë kaluar forcën e zjarrit republikan, janë faktorë shumë të rëndësishëm që e bënë mesazhin politik të Obamës të arrinte gjithkund. Më shumë se rënia e popullaritetit të Bush, luftërat dhe mungesa e kompetencave, shkatërrimit që erdhi nga uragani Katrina dhe të pabarazisë sociale në rritje, faktori vendimtar për suksesin e tij ishte apeli drejtuar vendit, një kombi ku çdo sipërmarrje është e mundshme, ku një njeri me historinë personale të kandidatit demokrat arrin në Shtëpinë e Bardhë, ku deri tani kanë mbretëruar të zgjedhurit e aristokracisë dhe traditës, pushtetit politik dhe të forcës financiare. Me një forcë maksimale botërore, por jo më e vetme, Amerika e shekullit të 21-të ka zgjedhur tashmë të tregohet e hapur me kurajë dhe besim, të përballet me sfidat që i vendos përpara asaj bota shumëpolare, ka vendosur të refuzojë dorëzimin ndaj frikës. Siç thoshte Ruzvelt, e vetmja gjë për të cilën duhet të kemi frikë është vetë frika. Në këtë logjikë, politika e jashtme e Obamës mund të servirë sinjale të rëndësishme ndryshimi, në stil dhe në mënyrë, nëse jo në thelb.
E dimë mirë se marrëdhëniet ndërkombëtare udhëhiqen mbi të gjitha nga faktet, marrëdhëniet reciproke të fuqisë, nga siguria si aktive ashtu dhe ajo reaktive, nga ftohtësia e rrezikut të llogaritur dhe vlerësimi i çdo pasoje? Ekipi i politikës së jashtme të Barak Obama që duket se është profilizuar në horizont, duhet të ketë talent dhe përvojë ndërkombëtare, duke nisur nga zëvendëspresidenti Biden. Nuk duhet lejuar rënia në kurthin e polemikave dhe as të imagjinojmë një politikë të jashtme të butë: mesazhi politik i Obamës është krenar dhe paraqet një diplomaci të fortë, të aftë të rinovohet. Në Uashington mjetet nuk mungojnë natyrisht, Shtëpia e Bardhë mund të kthehet në një tërheqje të modelit të tij dhe vlerave tradicionale, imazhit që Amerika do të projektojë për veten tani e tutje, që është në fakt një kombinim faktorësh të ndryshëm. Kapaciteti ushtarak, që është vënë në një provë të vështirë ne Irak dhe Afganistan, është një mjet me rreze të gjatë veprimi botëror. Ekonomia e vendit, më e madhe e botës, vuan nga mungesa e disekuilibrimit të grumbulluar në pak kohë dhe pa shumë sakrifica, por gëzon një vitalitet inovativ dhe një talent sipërmarrës që duhet t’i lejojë skuadrës ekonomike presidenciale të riorganizohet. Mbi të gjitha, braktisja e politikës së frikës do t’i lejojë Shtëpisë së Bardhë të nxisë dialogun politik në arenën ndërkombëtare deri aty ku është e mundur dhe e leverdishme, pa paragjykime, por edhe duke i dhënë vlerë qëndrimit konstruktiv për stabilitetin. Në këtë kuptim mund të mendojnë edhe fundin e kujdesshëm të konfliktit irakian dhe atij afgan. Mes protagonistëve të rëndësishëm, tradita realiste e Kissinger dhe e Bejkër do të duhej të kthehej në vendin e nderit. Me Rusinë e Putin dhe Medvedevit dhe Kinën e Hu Jintaos, diplomacia duhet të rinisë dhe me ta duhet folur për një sërë sfidash dhe problemesh që shqetësojnë gjithë botën sot. Më i ndërlikuar për Obamën paraqitet skenari i Lindjes së Mesme, rrethuar nga pasiguri dhe mosmarrëveshje, në veçanti me Teheranin, që po avancon me armët bërthamore: por edhe këtu Obama ka ndërmarrë rrezikun e pranimit të dialogut pa kushte. Dhe Europa? Do të varet nga europianët nëse ata do të kuptojnë menaxhimin efikas të sistemit shumëpolar dhe nëse mes SHBA-së dhe Europës do të mund të ketë forcim të solidaritetit. Në një periudhë shqetësimesh të mëdha ekonomike, strategjike, kërkesa e parë dhe më urgjente është dialogu transatlantik dhe kapaciteti diplomatik botëror.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›