Raporti i shoqërisë civile: Viti 2009 shënoi përkeqësim të lirisë së mediesNga Tema Raporti i të drejtave të njeriut për vitin 2009 në Shqipëri ka konfirmuar përfundimet e një sërë institucionesh dhe shoqatash ndërkombëtare, për përkeqësimi
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Raporti i shoqërisë civile: Viti 2009 shënoi përkeqësim të lirisë së mediesNga Tema
Raporti i të drejtave të njeriut për vitin 2009 në Shqipëri ka konfirmuar përfundimet e një sërë institucionesh dhe shoqatash ndërkombëtare, për përkeqësimin e lirisë së medies në vendin tonë. Sipas këtij raporti, rasti më flagrant është nxjerrja e gazetës “TemA” dhe gazetarëve të saj nga redaksia me dhunë nga Policia e Shtetit, si dhe dhuna e ushtruar ndaj drejtorit të gazetës, Mero Baze. Raporti është kritik edhe për zgjedhjet e 28 qershorit, gjatë të cilave partia në pushtet ka përdorur administratën për fushatë zgjedhore. Vrasja e deputetit Xhindi, indiferenca ndaj ish-të përndjekurve politikë, dhuna në familje etj., janë disa nga pikat e tjera kritike të këtij raporti.
Liria e medies
“Kushtetuta dhe ligji sigurojnë lirinë e fjalës dhe të shtypit, por presioni politik dhe ekonomik mbi mediet e shkruara dhe elektronike, si dhe dhuna e ushtruar mbi disa përfaqësues të medieve përbëjnë cenim të lirisë së shtypit”, - thuhet në raportin e hartuar nga rreth 70 organizata të pavarura. Sipas raportit të të drejtave të njeriut për vitin 2009, në Shqipëri, rasti më flagrant i cenimit të lirisë së shtypit është ai i gazetës “TemA”, e cila me vendim të qeverisë është përzënë nga ambientet e saj. “Mes qeverisë dhe medieve e gazetarëve janë shpeshtuar raste të polemikës publike, presionit dhe akteve arbitrare, si në rastet me editorë dhe pronarë të medieve, si gazeta e përditshme “TemA”, Vizion Plus, Top-Channel (Top Media), si dhe gazeta të tjera. Po ashtu, janë shpeshtuar rastet e proceseve gjyqësore ndaj editorëve dhe medieve nga përfaqësues të administratës publike apo individë, ndonëse është në fuqi një urdhër administrativ i kryeministrit Berisha, që i ndalon punonjësit e administratës të ngrenë padi ndaj gazetarëve”, - thuhet në raport. Por, përveç cenimit të lirisë, raporti përmend edhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve, kur përsëri rasti më flagrant paraqitet dhuna e përdorur nga policia për përzënien e gazetarëve të gazetës “TemA” nga redaksia, si dhe dhunën e ushtruar ndaj drejtorit të kësaj gazete, Mero Baze, nga ana e biznesmenit Rezart Taçi, ngjarje kjo e ndodhur vetëm pak javë më parë. “ Është flagrante dhuna e ushtruar nga policia në ambientet e gazetës “TemA” dhe largimi me dhunë që iu bë gazetarëve në janar 2009, si dhe dhuna e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze në nëntor 2009”, - thotë raporti i hartuar nga rreth 70 organizata. Ky raport përmend edhe rrahjen e disa gazetarëve të tjerë, ngjarje për të cilat nuk janë marrë masa. “Organizatat raportojnë për rastin e dhunimit të korrespondentit lokal të gazetës “Telegraf”, Gjergj Mandreja, nga nënprefekti i Mirditës, Gjon Pjetri, në zyrën e tij, i cili e ka goditur me grushte 64-vjeçarin Mandreja, duke e lënë pa ndjenja, në janar 2009. Nga raporti i QKMA konstatohet se rasti i rrahjes së korrespondentit të gazetës “Shqip” në qarkun e Gjirokastrës, Engjëll Serjani, në qershor 2008, prej oficerit të policisë Argjir Çela, ende është në hetim nga prokuroria, ndërkohë që autorët e kanë kryer këtë akt në prani të shefit të komisariatit të Tepelenës, Enver Meçe”, - denoncon raporti dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve. Sipas këtij raporti, konstatohen zvarritje në proceset për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, sidomos kur ato kryhen nga persona të veshur me pushtet. Ndërkohë, në këtë raport evidentohet edhe fakti i politizimit të skajshëm të një sërë mediesh dhe gazetarësh, gjë që u vu re gjatë fushatës zgjedhore të 28 qershorit. Raporti ngre si problem edhe punën në të zezë, në të cilën punojnë gazetarët, si dhe largimin arbitrar të tyre nga puna, ndërsa është kritikuar edhe mungesa e transparencës për financimin e medieve, si dhe mungesa e iniciativës për hartimin e një ligji për medien.
Zgjedhjet e 28 qershorit
Në raport, pavarësisht arritjeve në disa pika, për zgjedhjet e 28 qershorit thuhet se u vërejtën shkelje dhe të meta të dukshme. “Më 28 qershor u zhvilluan zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të cilat, sipas raporteve të OSBE/ODIHR dhe komisioneve të tjera të huaja, si dhe raporteve të vëzhguesve vendorë, shënuan në disa drejtime progres, megjithatë, janë vërejtur edhe të meta e shkelje të rëndësishme”, - thuhet në raport. Por, ajo që është më e rëndë, sipas këtij raporti, është përdorimi i administratës publike nga ana e Partisë Demokratike për fushatën zgjedhore. Sipas raportit, qeveria përdori aktivitetet shtetërore për fushatë, ndërsa nuk nguroi që në mitingje të nxirrte në shesh edhe nxënësit e shkollave, mes të cilëve edhe të mitur. “Pati raste të përsëritura, kur në kundërshtim me Kodin dhe me kërkesa të dokumenteve ndërkombëtarë (Paragrafi 5.4 Dokumentit të Kopenhagës të OSBE), aktivitete shtetërore zyrtare u përdorën për qëllime të fushatës. Punonjës të institucioneve publike, të ministrive, bashkive, mësues, nxënësit e shkollave (përfshirë edhe të mitur) etj., u përdorën për të marrë pjesë në aktivitetet e tyre, si në Fier, Korçë, Vlorë, Tiranë, Shkodër, Elbasan, Shijak, Durrës etj.
Raporti thotë se Partia Demokratike përdori gjatë fushatës edhe burimet e administratës, ndërsa citon argumentet e PS për presion ndaj punonjësve të administratës gjatë zgjedhjeve. “Burime të administratës publike, si makinat, ndërtesat zyrtare etj., u përdorën nga PD për qëllime të fushatës zgjedhore. Po kështu, nga opozita u denoncua fenomeni i presionit ndaj zgjedhësve me humbje të vendit të punës, në rast se nuk rreshtohej krah mazhorancës qeverisëse. Sipas KPM, pati raste në veri të vendit, ku komisionarët janë kërcënuar, blerë apo është bërë shtrëngimi i familjeve për betimin paraprak në deklarimin e votës vetjake, familjare dhe fisnore”, - pohon raporti. Në raport kritikohet edhe administrata zgjedhore, e cila ka qenë tërësisht politike, por edhe niveli i përgatitjes së kësaj administrate, që ka qenë i ulët. Sipas raportit, “administrata zgjedhore ishte tërësisht politike. U evidentua niveli i paarritur i përgatitjes profesionale të administratës zgjedhore të nivelit të dytë e të tretë, rrjedhojë e pamjaftueshmërisë së kohës për trajnimin e tyre”. Ndërkohë, raporti thekson edhe faktin se Kolegji Zgjedhor është ndikuar politikisht, në rastin e shqyrtimit të ankesave të opozitës.
Gërdeci, vrasja e Xhindit dhe gjakmarrja
“Mjaft prej organizatave vënë theksin te mungesa e vlerësimit të kujdesit për jetën nga ana e organeve të shtetit, duke përmendur këtu si shembull domethënës tragjedinë e Gërdecit vitin e kaluar, ku u lejua ushtrimi i një veprimtarie me nivel shumë të lartë rreziku për ambientin përreth, në kushtet e masave të pamjaftueshme për të minimizuar rreziqet dhe mbrojtur, jo vetëm jetën dhe shëndetin e personave të punësuar, por edhe jetën e pronat e banorëve përreth”, - evidenton raporti. Sipas këtij të fundit, viti 2009 ka shënuar një numër më të ulët vrasjesh, por “ndërkohë janë shënuar ngjarje mjaft të rënda, si vrasja e deputetit në detyrë, Fatmir Xhindi apo sulmi ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, ngjarje të cilat ende vazhdojnë të mbeten pa autorë nga organet përkatëse”, - thotë raporti. Në raport preket edhe një plagë e vjetër, ajo e gjakmarrjes, që vazhdon të mbajë të izoluara qindra familje. “Gjakmarrja vazhdon ende të mbetet një problem i rëndë. Degjenerimi në keqinterpretimin dhe keqpërdorimin e kanunit ka shkaktuar dhe ende vazhdon të shkaktojë viktima, duke mbajtur të izoluara qindra familje, burra, gra e fëmijë, duke konstatuar një numër prej rreth 1400 familjesh të ngujuara apo të fshehura. Vetëm në Tiranë konstatohen nga KPM 110 familje të ngujuara dhe 70 të fshehura”, - pohohet në raport.
Të përndjekurit politikë
Raporti i hartuar prej rreth 70 organizatave i jep një rëndësi të veçantë edhe ish-të përndjekurve politikë. Sipas raportit, shoqatat që përfaqësojnë këtë shtresë kanë nënshkruar me qeverinë marrëveshje që bien ndesh me interesat e ish-të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. “Ri-integrimi, rehabilitimi dhe kompensimi i ish-të burgosurve dhe të dënuarve politikë ka qenë një çështje shumë e nxehtë përgjatë vitit 2009. Shoqatat e ish-të persekutuarve, sipas disa grupimeve të tyre dhe GSHDNJ, kanë nënshkruar, në kundërshtim me të drejtat e tyre bazë, ligjin e dëmshpërblimit financiar, tashmë të miratuar, pa marrë lejen e vetë kësaj shtrese të të persekutuarve. GSHDNJ dhe QSHRT në trajtimin e kësaj kategorie, konstaton se, përgjithësisht, organet e shtetit shqiptar nuk kanë aplikuar masa praktike me qëllim rehabilitimin, ri-integrimin dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë”, - thuhet në raport.
Dhuna në familje
Raporti i të drejtave të njeriut për vitin 2009 në Shqipëri thotë se dhuna në familje vazhdon të mbetet problematike. Raporti kritikon institucionet qeveritare, të cilat nuk kanë mundur të zbatojnë si duhet ligjin për parandalimin e dhunës në familje. “Organizatat konstatojnë së zbatimi në praktikë me efektivitet i ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” ka hasur shumë vështirësi, pasi autoritetet kryesore përgjegjëse nuk kanë marrë përsipër detyrimet e tyre ligjore”, - thuhet në raport. Sipas këtij të fundit, “problem shqetësues mbetet edhe mungesa e plotësimit të dokumentacionit përkatës mjekësor për rastet e dhunës në familje nga ana e Qendrave Shëndetësore, megjithëse ekziston një urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë, mbi bazën e të cilit çdo rast i dhunës në familje duhet të evidentohet në dokumentacionin e posaçëm mjekësor që është regjistri dhe kartela individuale për viktimat e dhunës në familje. Si rezultat i mungesës së dokumentacionit, viktima e dhunës në familje nuk pajiset me raportin mjekësor përkatës, që do t’i shërbente si provë në gjykatë për dhënien e urdhrit të mbrojtjes, duke vështirësuar lëshimin e një urdhri të tillë nga ana e gjykatës”.
Ndërkohë, pavarësisht arritjeve pozitive, raporti kritikon edhe punën e gjykatave, të cilat pushojnë pjesën më të madhe të kërkesave për mbrojtje nga gratë e dhunuara. “Gjykata duhet të analizojë faktin, së përse nga të gjitha kërkesat e paraqitura, objekt monitorimi, është pushuar gjykimi në 73.43% të rasteve”, - pohon ky raport.