E Diel, 1 Nëntor 2026

Martini i premton Europën Vllaznisë

Edi Martini është trajneri i ri i Vllaznisë, duke pasuar në këtë detyrë Roland Luçin, ky i fundit u shkarkua pas barazimit 2-2 me Flamurtarin në javën e 17-të, e fundit për këtë vit futbollistik.
Në garë për vendin e trajnerit ishte dhe vlonjati Eqerem Memushi, ndërkohë që nga media u përfolën edhe emrat e ish-trajnerit të Apolonisë, Esad Karishik dhe ish-trajnerit të Kombëtares e Vllaznisë, Astrit Hafizi. Edi Martini, 34 vjeç, ka një karrierë relativisht të re si trajner. Eksperienca e tij nis me Luftëtarin, kur skuadra gjirokastrite bënte pjesë në Superligë në sezonin 2006-2007 si dhe Laçin e Kategorisë së Parë (2008-2009).
Në karrierën si trajner të Edi Martinit është edhe Kombëtarja shqiptare e Minifutbollit. Në sezonin aktual të kampionatit të 7-të të Futbollit në Sallë, Martini luante me ekipin e minifutbollit të Vllaznisë, madje duke qenë golashënues i rregullt. Së fundi, Martini ishte punësuar nga presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj në rolin e drejtorit teknik, ndërsa për shumëkush ai konsiderohej një trajner “hije” i të shkarkuarit Roland Luçi. Edi Martini, gjatë karrierës së tij si futbollist përveç Vllaznisë, ka luajtur edhe Luftëtarin e Gjirokastrës, Besëlidhjen e Lezhës dhe Apoloninë e Fierit, duke fituar edhe “këpucën e artë” me 14 gola në sezonin 1993-1994 me fanellën e Vllaznisë. Edi Martini është trajneri i 19-të sezonal që ulet në bankinën e 12 skuadrave të Superligës, ku vetëm gjashtë tyre nuk i kanë ndryshuar trajnerët, përkatësisht Shkëlqim Muça te Dinamo, Shpëtim Duro (Besa), Mirel Josa (Teuta), Gerti Haxhiu (Skënderbeu), Ramadan Ndreu (Kastrioti) dhe Stavri Nica (Laçi).
Vllaznia, ashtu si edhe Shkumbini, do të drejtohet nga trajneri i tretë sezonal në harkun e 18-javëve. Deri tani 6 klube kanë ndryshuar të paktën një herë trajnerin: Vllaznia (3 herë: Lika, Luçi, Martini); Shkumbini (3 herë: Magani, Mile, Daiu); Flamurtari (2: Memushi, Magani); Gramozi (2: Qirjako, Canaj), Tirana (Lonçareviç, Tafaj) dhe Apolonia (Karishik, Lika).
Debutimi i Edi Martinit në krye të stolit shkodran do të nisë me sfidën kundër Shkumbinit në Peqin. Në fazën e parë, Vllaznia fitoi 2-0, me dy gola të realizuar nga sulmuesi i talentuar 18-vjeçar, Bekim Bala (48’ dhe 63’), e që përkoi edhe me fitoren e dytë sezonale të shkodranëve dhë të parën për ish-trajnerin Roland Luçi. Vllaznia ka bërë një pjesë të parë të sezonit aspak dinjitoze për emrin e 9-herë kampionëve të Shqipërisë (19 pikë në 17 javë, vendi i 9-të) dhe pritet të hyjë fuqishëm në merkato në të gjitha repartet, pasi priten edhe largime (Alikaj, Rrustemi, Elvin Beqiri dhe Ardit Beqiri).

Kampion me Laçin

Edi Martini drejtoi sezonin e kaluar, duke arritur ta shpallë skuadrën kurbinase kampione të Kategorisë së Parë, madje shkodrani kreu edhe një pjesë të mirë të fazës së përgatitore të Laçit, përpara se të zëvendësohej nga presidenti Pashk Laskaj nga durrsaku Stavri Nica.

Tre trajnerë
Vllaznia në 17 javët e para të sezonit aktual ka pasur në drejtim dy trajnerë: Hasan Likën (5 ndeshje, 1F, 1 B, 3 H, 4 pikë) dhe Roland Luçin (12 ndeshje 4 fitore, 3 barazim dhe 5 humbje, 15 pikë). Martini e nis aventurën e tij nga java e 18-të, me një ndeshje kundër Shkumbinit në Peqin.

Tri skuadra

Edi Martini ka luajtur me tri skuadra jashtë Shqipërisë, në Slloveni (Svoboda), Austri (Klagenfurt) dhe Gjermani (Entraht Frankfurt).

SUPERLIGA
2009-2010
LËVIZJET
E TRAJNERËVE

Vllaznia
Hasan Lika (nga java 1-5). Roland Luçi (nga java e 6-17). Edi Martini (java 18)

Shkumbini
Gugash Magani (nga java 1-2). Kristaq Mile (nga java 3-15). Përparim Daiu (nga java 16)

Flamurtari
Eqerem Memushi (nga java 1-4). Gugash Magani (nga java e 5-të)

Gramozi
Ilir Qirjako (nga java 1-5). Agim Canaj (nga java e 6-të).

Tirana
Ilija Lonçareviç (nga java 1-6). Alban Tafaj (nga java e 7-të)

Apolonia
Esad Karishik (nga java 1-10). Hasan Lika nga java e 11-të.

EKIPET QË NUK
KANË NDËRRUAR
TRAJNER

Dinamo: Shkëlqim Muça
Besa: Shpëtim Duro
Teuta: Mirel Josa
Skënderbeu: Gerti Haxhiu
Kastrioti: Ramadan Ndreu (Shaban Dollaku zëvendësoi për 5 javë Ndreun e pezulluar 5 javë nga FSHF-ja)
Laçi: Stavri Nica

Sead Haxhibuliç firmos për Besën

Në këmbim të boshnjakut te Apolonia shkuan Leci dhe Hasalla

Sulmuesi Sead Haxhibuliç do të luajë pjesën e dytë të sezonit me Besën. Boshnjaku 26-vjeçar i Apolonisë (5 gola këtë sezon) vlerësohet si një përforcim cilësor i formacionit të Shpëtim Duro. Te Apolonia do të shkojë në këmbim mbrojtësi kosovar Liridon Leci dhe mesfushori Blerim Hasalla. Verdhezinjtë duke pasur në sulm vetëm Daniel Xhafën (5 gola në 17 javët e para) nuk kanë qenë efikas në shënimin e golave: 15 gola, sulmi i tretë më i dobët i kampionatit. Besa do të jetë skuadra e dytë në Shqipëri në karrierën e Sead Haxhibuliçit. Ndeshja e parë e Besës (vendi i dytë, 30 pikë) për vitin 2010 është ajo kundër Flamurtarit (vendi i 11-të, 15 pikë). Në fazën e parë Besa fitoi 1-0. Gramozi firmosi me dy sulmuesit korçarë, Marius Ngjela (ish-Flamurtari) dhe Erlis Frashërin (Skënderbeu). Gramozi u rendit i fundit në përfundim të pjesës së parë të sezonit: 15 pikë, pas 17 ndeshjesh (3F, 6B, 8H), po aq sa Flamurtari dhe Skënderbeu.
Klubi kolonjar i financuar nga “Taçi Oil” ka bërë të ditur se do të rekrutojë edhe shtatë futbollistë të tjerë gjatë merkatos dimërore për t’i mundësuar trajnerit Agim Canaj një grup cilësor futbollistësh. Në javën e 18-të (23 janar 2010) Gramozi do të presë në shtëpi Apoloninë (vendi i katërt, 25 pikë, ndaj së cilës humbi në fazën e parë 3-0.

Bakaj
Elis Bakaj, golashënuesi më i mirë i Dinamos dhe Superligës në 17 javët e para, mund të transferohet në Slloveni te NK Celje. Shuma që klubi slloven (aktualisht vendi i 6-të) është 500 mijë euro, 5-herë më shumë sa Dinamo pagoi për ta blerë futbollistin më të mirë të vitit 2009 nga Partizani.

Maho
Sulmuesi Rezart Maho (2 gola këtë sezon) ndërpreu marrëdhëniet me Laçin, duke qenë kështu lojtari i dytë pas shkodranit Alsid Tafili që largohet nga formacioni i Stavri Nicës. Laçi, 21 pikë në 17 javë, pretendon të afrojë katër-pesë futbollistë të rinj në merkaton dimërore.

29 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›