E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontestimi, Topi kthen ligjin për legalizimet

 

E përshëndesin PR e PS. Nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Partia Demokratike

TIRANË- Ligji "Për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale" i ndryshuar pak kohë më parë nga Kuvendi me numrin minimal të votave, është kthyer sërish për diskutim në komisionet parlamentare. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dhënë një shans të dytë klasës politike shqiptare që të rishikojë pikat më të kontestuara të ligjit në fjalë. Kuvendi miratoi vetëm me votën e deputetëve demokratë, amendamentet në ligjin bazë të legalizimeve, duke sanksionuar në këtë mënyrë shmangien e pushtetit vendor nga ky proces dhe kalimin e të gjitha kompetencave të dhënies së pronësisë Agjencisë qeveritare të Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale. Pikërisht dhënia e kompetencave të tepërta ALUIZNI-it, heqja e afateve për përgatitjen e listës së ish-pronarëve që do të shpronësohen, si dhe ndryshimi që bëhet në projektligjin në fjalë i termit "zonë informale" janë disa nga çështjet që u kontestuan nga opozita, por edhe republikanet, të cilët me votën e tyre kundër, kanë bindur edhe Presidentin e Republikës, Bamir Topi që ta kthejë për rishqyrtim ligjin në fjalë. "Dekretoj: Kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të Ligjit Nr.9895, datë 10.04.2008 "Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.9482, datë 03.04.2006 "Për legalizimin, urbanizimin, dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar", thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës. Kthimi i ligjit për legalizimet është kundërfirma e parë e kreut të shtetit ndaj mazhorancës. Qëndrimi i tij kësaj here duket se është në të njëjtën linjë, si ish-kryetar i grupit parlamentar i PD-së, ku jo pak herë, Topi ka mbajtur qëndrim më realist për çështjen e pronës. Kthimi i ligjit për rishqyrtim në Kuvend, pritet t'i japë një mundësi të dytë opozitës dhe Partisë Republikane që të ndikojnë në një reflektim nga ana e mazhorancës, edhe pse nisur nga qëndrimet e mbajtura për këtë çështje, pak duket se do të lëvizin gjërat. Ky është hapi i parë dhe i vetëm që presidenti Topi mund të japë në këtë drejtim, pasi kreu i shtetit në bazë të nenit 85 të Kushtetutës, ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë. Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kundërfirma e presidentit Topi është përshëndetur dje nga republikanët dhe PS, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë reagim nga strukturat zyrtare të Partisë Demokratike, deputetët e së cilës, pas shumë debatesh, në 10 Prill, arritën që ta kalonin ligjin në fjalë me vetëm 52 vota. Kjo është hera e dytë që "Ligji për Legalizimet" është kthyer për shqyrtim në Kuvend. Firmën e parë kundër këtij ligji e ka hedhur ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Asokohe, Partia Demokratike nuk mori parasysh asnjë nga vërejtjet e Moisiut, duke e kaluar sërish me të njëjtën përmbajtje në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›