E Diel, 1 Nëntor 2026

Institucionet që monitorohen për pastrim parash

Si zbulohen shoqëritë apo individët që pastrojnë para. Të dhënat e hetimit më pas shpërndahen në polici e prokurori
Laureta Rryçi

Tiranë - Roli gjithnjë në rritje në luftën kundër krimit dhe korrupsionit është më evidente se asnjëherë tjetër në regjimin e parandalimit të pastrimit të parave në Shqipëri. Pastrimi i parave është relativisht një krim i ri në Shqipëri, si dhe në shumë vende të tjera të botës. Dhe është gjetur shpesh si indikacion i aktiviteteve kriminale. Pothuaj të gjithë tipat e krimeve, qofshin trafiqe, mitmarrje, mashtrime në prokurime, vjedhje të mëdha ose evazion fiskal, përfshijnë disa lloj skemash të pastrimit të parave. Kriminelët kërkojnë të fshehin fitimet e tyre, që burojnë nga aktivitete jo të ligjshme dhe punë jo të pastra, duke manipuluar transaksionet financiare vendase dhe ndërkombëtare. Megjithatë, në vendin tonë, që nga viti 2001 është ngritur një strukturë e posaçme, Njësia e Inteligjencës Financiare (NIF), që merret pikërisht me zbulimin e të gjitha shoqërive apo personave që merren me pastrimin e parave.
Gjatë këtyre viteve ka funksionuar në varësi të disa procedurave të përcaktuara në ligj. Por ata që nuk kanë ndryshuar janë institucionet që monitorohen si dhe kërkohet informacion i detajuar për të zbuluar kështu se kush merret me pastrim parash.
Më pas NIF e shpërndan informacionin te një numër i caktuar agjencish të zbatimit të ligjit. Disa prej tyre i dërgohen Policisë për hetime të mëtejshme dhe të tjera i dërgohen Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për ndjekje kriminale. Gjatë vitit 2005 janë parashtruar dhjetë raste për hetim dhe katër raste për penalizim të njërit lloj apo tjetrit.
Inspektimi
Drejtoria e Inspektimit e NIF-it ushtron funksionet mbikëqyrëse dhe parandaluese për të mos lejuar përdorimin e kanaleve bankare dhe institucioneve të tjera financiare për qarkullimin e të ardhurave që burojnë nga veprimtari kriminale për të mundësuar pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit nëpërmjet ushtrimit të kontrolleve në subjektet e ligjit, ngrirjen e aseteve, llogarive bankare dhe marrjen e masave administrative. Gjithashtu, kjo drejtori është përgjegjëse për koordinimin e shkëmbimit te inteligjencës financiare me njësitë homologe në botë.
Kur hetohet
Njësia e Inteligjencës Financiare, si Agjenci Qendrore Kombëtare, kërkon, analizon dhe u shpërndan autoriteteve kompetente zbulimin ose ekspozenë e informacionit financiar lidhur me: të ardhurat që dyshohen se kanë origjinë kriminale; kërkesat e bëra nga entet rregullatore dhe licencuese kur ka rrethana të pazakonta dhe të pajustifikuara, mbi të cilat një entitet i ri formohet apo kryen veprimtarinë operacionale. Institucionet financiare kanë detyrimin ligjor për të identifikuar klientin, regjistruar e ruajtur të dhënat, për të raportuar transaksionet e dyshimta (RAD) dhe ato mbi kufirin e vlerës 20 milionë lekë (RTV). Këto institucione kanë ngritur strukturat e tyre me persona përgjegjës në këtë drejtim dhe kanë krijuar qendrën e të dhënave.

Inspektime që kryhen nga NIF

Organet tatimore
Agjencinë Kombëtare të Privatizimit
Kompanitë e sigurimeve
Organet doganore në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe ZQRPP
Zyrat e këmbimeve valutore
Agjencitë e udhëtimit
Lojërat e fatit dhe kazinotë,
Bankat e nivelit të dytë
Te noterët dhe te avokatët

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Marrëdhëniet ndërkombëtare të NIF-it janë zgjeruar gjithnjë e më shumë. Gjatë këtyre pesë viteve të fundit, NIF-i shqiptar e ka zgjeruar në mënyrë thelbësore qëllimin e aktivitet të tij përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dy dhe shumëpalëshe për shkëmbimin dhe përdorimin e informacionit financiar, veçanërisht me vendet fqinje. Deri tani NIF-i ka nënshkruar njëzet e katër memorandume bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë.

Ndëshkimi, gjobë dhe burg

1- Penalizimin e çeljes së llogarive anonime ose nën emra fiktivë, të cilat dënohen me burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga 200 mijë lekë deri në 2 milionë lekë;

2- Penalizimin e kalimit ilegal të cash-it në kufi mbi shumat 1 milion lekë, apo kundërvleftën me monedha të huaja, instrumenteve të tjera të negociushme, sendeve me vlerë dhe atyre antike, kur përbëjnë vepër penale dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet;

3- Penalizimin e financimit të terrorizmit ose mbështetja në çdo formë e tij, dënohen me burgim jo me pak se pesëmbëdhjetë vjet, deri në burgim të përjetshëm dhe me gjobë nga 5 milionë deri në 10 milionë lekë.

14 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›