Raporti/“Opozita ka marrë peng integrimin e Shqipërisë për interesat partiake”
Fondacioni prestigjioz “Robert Schuman” nxjerr një raport të posaçëm për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë, ku denoncon praktikat jobashkëpunuese të opozitës, të cilat çuan në mosrealizimin e konsensusit
Fondacioni “Schuman” thotë në raportin e vëzhguesit të zgjedhjeve në Evropë, Corinne Delay se “opozita ka marrë peng hapat e Shqipërisë drejt BE. Dhe këtë e mbështet në arsyetimin se zgjedhjet kishin kushte të mira për një President që do të mishëronte unitetin e vendit”. Vëzhgimi i detajuar i zgjedhjes së Presidentit e ka dhënë të qartë panoramën e përpjekjes së vazhduar të mazhorancës për t’i dhënë vendit një President konsensual çfarë u duk qartë se nuk ishte aspak qëllim i opozitës
Fondacioni “Robert Schuman” në funksionin e tij si monitorues i proceseve zgjedhore në Europë, ka vëzhguar procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit në Shqipëri, që prej negociatave deri te emri i Bujar Nishanit si kryetar i ri i shtetit, nëpërmjet një raporti të përpunuar nga Corinne Delay, vëzhgues i zgjedhjeve në Evropë.
Ky Fondacion konstaton se, “zgjedhja e Presidentit ka pasqyruar qartë ndarjet e thella brenda klasës politike shqiptare, që derivojnë prej zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009 që u fituan nga PD dhe u konsideruan si të ndershme nga të gjitha organizatat ndërkombëtare, por u refuzuan të njihen nga opozita, pavarësisht nga ndërmjetësimi i Parlamentit Evropian që të njihet fitorja e koalicionit qeverisës”.
Në këtë monitorim përmenden dhe “ngjarjet e 21 janarit, protesta të dhunshme kundër Kryeministrit Sali Berisha siç shkruhet, apo fitorja e Lulzim Bashës në 8 maj që siç shkruan Fondacioni mundi liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama, pas tre mandatesh në krye të Tiranës”.
Në raportin e tij, Fondacioni “Robert Schuman” thotë se “opozita ka marrë peng hapat e Shqipërisë drejt BE”.
Dhe këtë e mbështet në arsyetimin se zgjedhjet kishin kushte të mira për një President që do të mishëronte unitetin e vendit.
Raporti identifikon pak arsye në refuzimin që ju bë nga PS kandidatit të ofruar që në krye të herës nga koalicioni qeverisës, Xhezair Zaganjori, ish Ambasadori dhe gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Raundi i parë u ezaurua pa kandidat dhe në raundin e dytë, siç shkruhet, skenari ishte i njëjtë.
Siç theksohet në raportin e këtij Fondacioni “opozita vetë nuk ofroi asnjë kandidat duke refuzuar të luajë ndeshjen e institucioneve demokratike. Kjo ndodhi dhe në raundin e tretë, që kulmoi me tërheqjen nga gara të Xhezair Zaganjorit. Në këtë mënyrë, ky vëzhgim i detajuar i zgjedhjes së presidentit e ka dhënë të qartë panoramën e përpjekjes së vazhduar të mazhorances për t’i dhënë vendit një president konsensual çfarë u duk qartë se nuk ishte aspak qëllim i opozitës”.
Raporti përfundon duke dhënë detaje të CV-së së presidentit të ri të vendit, Bujar Nishani, kryetari i 6 i shtetit që nga rënia e diktaturës.
Fondacioni “Robert Schuman” është krijuar në vitin 1991 dhe ndër të tjera zhvillon kërkime mbi Bashkimin Evropian dhe politikat e tij duke synuar promovimin e tyre.