Rapoti i MOODY`S, ekonomia shqiptare fuqi e ulët

Agjencia e njohur ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Moody`s” ka vlerësuar se Shqipëria po reflekton një zhvillim të ngadalshëm ekonomik, institucional, financiar dhe një ndjeshmëri të nivelit të mesëm sa i përket nivelit të riskut që mund t`i paraqitet ekonomisë së saj.
Ky është vlerësimi më i fundit i agjensisë së njohur ndërkombëtare për vendin tonë, duke i caktuar konkretisht treguesin “B1” sa i përket ecurisë së treguesve të tij ekonomikë në tërësi. Ky tregues për ekspertët e “Moody`s” sinjifikon një nivel të lartë risku për kreditimin si edhe spekulimi me ekonominë e një vendi.
I parë në këtë këndvështrim, duket se gjykimi i bërë nga “Moody`s” për Shqipërinë, nuk është aspak pozitiv, siç referojnë shifrat e servirura nga institucionet shqiptare.
Por agjencia nuk mohon faktin që deri tani “Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në përmirësimin e saj ekonomik dhe institucional”.
Ndërkaq ajo vë theksin në faktin se “sfida të konsiderueshme mbeten para saj.
“Ndërsa ekonomia e saj ka mbetur relativisht elastike gjatë krizës financiare globale të periudhës 2008-2009, rimëkëmbja ekonomike duhet ende që të marrë hov. Për më tepër, Shqipëria tani është një nivel të mesëm të të ardhurave të vendit dhe, si e tillë, përballet me një shtrëngim të të ardhurave më të larta”, citojnë ekspertët e “Moody`s”.
Pa harruar të paraqesin në raportin e tyre për vendin tonë edhe tensionet e vazhdueshme politike mes palëve, të cilat sipas tyre gjatë pjesës së parë të vitit të kaluar i kanë penguar përpjekjet e Shqipërisë për t`u pranuar si kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Borxhi i qeverisë, për nivelin e përqindjes që zë kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto, është i lartë për një vend me nivelin e zhvillimit që ka Shqipëria. Nga ana e saj, qeveria po synon të kufizojë buxhetin”, citon më tej raporti në fjalë.
Duke shtuar gjithashtu se rreziqet që i paraqiten vendit tonë, janë të shtyrë kryesisht nga faktorë ekonomikë, si dhe faktorë politikë. Porse sistemi bankar, sipas “Moody`s” mbetet i tillë që është në gjendje të mbajë në nivel “të moderuar” rreziqet financiare. “
“Edhe pse qeveria është duke adresuar problemet strukturore të ekonomisë, më shumë progres thelbësor do të jetë i nevojshëm për institucionet, duke përfshirë efikasitetin e sektorit gjyqësor dhe suksesin në trajtimin e korrupsionit, pasi mangësi të tilla pengojnë investimet”, vënë në dukje ndër të tjera ekspertët e “Moody`s”.
Në fund, ata paraqesin si mjaft të rëndësishëm programimin e planifikuar të reformave, si ato ekonomike dhe institucionale, të cilat sipas tyre mund të ushtrojë presion në rënien e riskut.
“Dështimi për të ruajtur konsolidimin fiskal, gjithashtu mund të dëmtojë vlerësimin si një pengesë e rëndësishme për ambiciet e saj për t`u bashkuar me Bashkimin Evropian”, përfundon raporti i agjencisë së njohur të vlerësimit të riskut, lidhur me situatën ekonomike-financiare në të cilën gjendet vendi ynë.