E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasami, afër Juventusit

Juventusi ka shfaqur interesim të madh për Pajtim Kasamin. ‘Zonja e Vjetër’ po planifikon ta rikthejë në Itali mesfushorin shqiptar pa përfunduar afati kalimtar i janarit.

Bianconerët po mendojnë ta huazojnë menjëherë 19 vjeçarin për gjashtë muaj në Cesena, Novara apo në Lecce, në mënyrë që futbollisti shqiptar nga Maqedonia ta ketë mundësinë të luajë në vazhdimësi dhe të bëjë përvojë.

Ueb faqja 4-4-2.com shkruan se Juventusi pritet ta arrijë shumë shpejt marrëveshjen me Fulhamin, i cili me këtë rast do t’i përfitonte 4 milionë euro. Kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla, të cilat nuk pritet ta pengojnë realizimin e këtij transferimi.

Klubi anglez e kishte blerë ish futbollistin e Bellinzonas dhe Lazios gjatë verës së vitit që shkoi. Menaxheri i klubit londinez, Martin Jol, e kishte prezantuar atë si një të ardhme të klubit anglez. Kasami kishte nënshkruar kontratë deri në vitin 2015 dhe konsiderohej si shpresë e madhe.

Por, duke e parë konkurrencën mjaft të fortë të lojtarëve si Damien Duff, Clint Dempsey, Bryan Ruiz e Moussa Dembele, ai u konsiderua i tepërt dhe klubi anglez vendosi ta shesë.

Edhe atëherë kur iu dha rasti në Premierligë, Europa League apo në Kupën e Anglisë, përfaqësuesi U-21 i Zvicrës nuk është se impresionoi me paraqitje. Kjo nuk do të thotë se ai nuk do ta ndjekë rrugën e Valon Behramit për ta rikthyer formën më të mirë në Itali.

Skautët e Juventusit e kanë ndjekur me kujdes mesfushorin ofanziv shqiptar dhe u ka pëlqyer forca e tij fizike dhe shpirti luftarak. Për momentin nuk është bërë e ditur kohëzgjatja e kontratës, por Kasami pritet të nënshkruajë me klubin nga Torino kontratë afatgjate.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›