E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmusen: Deri më 1 mars kryhet reduktimi

Nga Express më 24 janar 2011 në ora 21:46

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen ka thënë se deri më 1 mars të këtij viti Aleanca planifikon të përfundojë fazën e reduktimit të trupave në Kosovë, duke arritur me këtë datë në numrin prej 5 mijë ushtarësh në misionin e KFOR-it.

Këto komente Rasmusen i bëri të hënën në Bruksel gjatë konferencës së parë për media në këtë vit.

“Ne do të vazhdojmë me një proces gradual që të zvogëlojmë praninë tonë ushtarake në Kosovë. Kjo fazë e zvogëlimit do të kompletohet nga një marsi, pra faza e dytë rreth 5 mijë ushtarë nga 10 mijë sa kemi pasur në fazën e mëhershme”, ka thënë ai.

Ndërkaq, në pyetjen e gazetarëve se a mund të konfirmojë se trupat nga Franca do të zëvendësohen në veri të Kosovës me trupat amerikane, Rasmusen vetëm ka thënë se në procesin e zvogëlimit të pranisë ushtarake të NATO-s në Kosovë, do të zvogëlohen edhe trupat e Francës dhe ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mirëpo në NATO vazhdojnë të pohojnë se pa marrë parasysh se a do të zvogëlohet prania ushtarake, NATO-ja gjithmonë do të mbajë numër të mjaftueshëm të ushtarëve për të qenë garantuesi kryesor i paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Po ashtu sikurse sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen edhe zyrtarë tjerë të lartë të NATO-s vazhdojnë të pohojnë se ndarja e Kosovës nuk ekziston si opsion dhe këtë duhet ta kenë parasysh të gjitha palët.

Ndër të tjera, NATO-ja vlerëson se bashkëpunimi i NATO-s me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in është i duhur dhe ai do të vazhdojë në interes të stabilitetit të Kosovës, që është në interes të të gjithë qytetarëve të saj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›