Rasmusen: Jo largim të trupave të NATO-s nga Afganistani

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen ka deklaruar se aleanca nuk do të largohet nga Afganistani, deri në fund të vitit 2014, megjithë shtimin e sulmeve kundër pjesëtarëve të NATO-s.
Në një intervistë për agjensinë e lajmeve “Reuters”, Rasmusen nuk përjashtoi mundësinë që talibanët të infiltrohen në forcat e sigurisë afgane.
“Mos harroni se për talibanët është e pamundshme të fitojnë ushtarakisht, por ata përpiqen të fitojnë diçka në raportet me publikun, duke e shkatërruar besimin ndërmjet forcave të jashtme dhe forcave të sigurisë afgane. Prandaj, qartas, nuk e përjashtoj mundësinë që talibanët të provojnë të infiltrohen në forcat e sigurisë afgane. Por, po them edhe njëherë, ata nuk do të kenë sukses në shkatërrimin e strategjisë sonë”, i tha Rasmusen agjencisë Reuters.
Të paktën 45 ushtarë të NATO-s janë vrarë gjatë këtij viti nga të ashtuquajturat “sulme të brendshme” nga ana e trupave të sigurisë afgane.