Tregëtimi i mishit, Ruli: Do marrim masa për subjektet
Mblidhet task forca për disiplinimin e therjes së kafshëve dhe tregëtimit të mishit. Mbledhja e task forcës kryesohet nga ministri i Bujqësisë Genc Ruli ndërsa në mbledhje marrin pjesë edhe 4 zv. ministra.
Në fjalën e tij, ministri Ruli e cilësoi si problematike tregëtimin e mishit në rrugë ndërsa shprehu vendosshmërinë për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve. “Interesi i pak bizneseve nuk mund të dalë mbi atë të konumatorit. Do penalizojmë të gjitha subjektet që shkelin rregullat dhe standartet” theksoi Ruli
Sipas tij është i nevojshëm veprimi përmes aktit normativ, për të penalizuar subjektet e tregëtimit të mishit pa standarte. Sipas tij akti normativ forcon kompetencat e autoriteteve dhe veprimi duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar.
Ministri Ruli ka theksuar se në shumë komuna mungon kontrolli në subjektet të cilat tregëtojnë mishin pa kushte higjeno-sanitare duke theksuar se task forca do të marrë të gjitha masat për mostregëtimin e mishit në rrugë. “Akti normativ përcakton edhe afatet për bizneset që duhet të regjistrohen në QKR” tha më tej Ruli.
Ndërkohë më herët kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar masa të rënda për drejtuesit vendorë që lejojnë therjen dhe tregëtimit të mishit në rrugët e vendit.