E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasmusen: Maqedonia s'ka ftesë, pa zgjidhje të pranueshme për emrin

WASHINGTON- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen deklaroi se pa zgjidhje të pranueshme dhe të ndërsjelltë të emrit, Maqedonia nuk duhet të pres ftesën për anëtarësim.

“Të gjitha vendimet në NATO sillen në bazë të konsensusit dhe kjo përfshin edhe Greqinë. Për të dërguar ftesën në adresë të Shkupit, duhet mbështetja e Greqisë. Unë e kuptoj se Greqia nuk ka vullnet për të bërë një ftesë të tillë derisa nuk gjendet zgjidhje e ndërsjellë për emrin. Kështu kemi vendosur në Bukuresht në vitin 2008 dhe ai vendim akoma është në fuqi”,- deklaroi Rasmusen, gjatë një seminari të organizuar në Washington për mbrojtjen dhe sigurinë.

Rasmusen, theksoi se personalisht do të dëshironte që të dërgonte ftesën për anëtarësim në Shkup, mirëpo shtoi se nevojitet konsensus në kuadër të NATO-s, raporton agjencia e lajmeve  INA.

Në përfundim Rasmusen i bëri thirrje kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski që të tregojë fleksibilitet dhe pragmatizëm, ndërsa theksoi se e njejta porosi i është bërë edhe Athinës.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›