E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmusen kërkon dialog të hapur me Rusinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s deklaroi nëpërmjet një interviste për “Financial Times” se do t’u kërkonte zyrtarëve të lartë të vizitonin Moskën dhe të dëgjonin me vëmendje pikëpamjet e Kremlinit mbi zhvillimin strategjik në terma afatgjatë të aleancës perëndimore.    

"Duhet të dialogojmë dhe të dëgjojmë qëndrimin e Rusisë", deklaroi ish-kryeministri danez, i cili që prej marrjes së detyrës në muajin qershor ka shpallur si prioritet forcimin e marrëdhënieve me Rusinë.
    
Ai theksoi se kishte një vizion për "partneritet të vërtetë strategjik", ku të dy palët do të bashkëpunonin në Afganistan, në luftën kundër terrorizmit dhe piraterisë detare.

"Rusia duhet të kuptojë se NATO është këtu dhe se ajo është korniza e marrëdhënieve tona transatlantike. Por edhe ne duhet të marrim parasysh se Rusia ka shqetësime të ligjshme lidhur me sigurinë e saj", tha Rasmusen.
    
Ai shtoi gjithashtu se ishte i përgatitur të diskutonte me presidentin rus Dimitri Medvedev mbi një arkitekturë të re të sigurisë në Evropë.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›