E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasmussen, PSE: Hetim zgjedhjeve shqiptare me ekspertë ndërkombëtarë

Presidenti i socialistëve europianë mbështet përpjekjet e PS për transparencë

Socialistët europianë ofrojnë një alternativë të re për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri; hetim parlamentar të zgjedhjeve nga një komision i përbashkët ku do të përfshihen edhe përfaqësues ndërkombëtarë të pavarur. Propozimi ka mbërritur dje përmes mediave nga kreu më i lartë politik i partive socialiste europiane, Presidenti Poul Nyrup Rasmussen, i cili ka përcjellë nga takimi i Bosnjës “E majta progresiste dhe Ballkani” mbështetjen e plotë për kërkesat e selisë rozë në Tiranë. “Unë dua të mbështes PS-në shqiptare në kërkesën e saj për të pasur transparencë dhe zbardhjen e plotë të zgjedhjeve të fundit. Kjo është arsyeja përse sot i kam thënë zotit Edi Rama se unë po u bashkohem përpjekjeve për të arritur transparencë të plotë, se edhe unë do të doja t’i shprehja dëshirën time për ngritjen e një komisioni hetimor, një komision hetimor të pavarur...i cili mund të përbëhet nga shqiptarë, por edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë të pavarur...”, është shprehur Rasmussen. Kjo mund të cilësohet si ndër deklaratat që jep mbështetje të drejtpërdrejtë për kërkesat e njërës prej palëve të përfshira në debatin politik në Shqipëri. Mjedisi politik prej nga ku është lëshuar ajo, një audiencë me përfaqësues të socialistëve europianë i jep edhe më shumë peshë, duke përvijuar kështu tiparet e një qëndrimi zyrtar të PSE-së. Por aspekti më domethënës lidhet me faktin se përveç ndërkombëtarizimit të krizës shqiptare, sugjerimet e Rasmussen rrisin pozitën negociuese të selisë rozë që prezantohet rishtas me një ofertë të re për zgjidhjen e situatës. Jashtë kontekstit të konsumuar të marrëdhënies politike PS-PD, e kufizuar në retorikën e legjitimitetit dhe kërcënimit për protesta, propozimi për ngritjen e një Komisioni Hetimor që të përfshijë edhe përfaqësues ndërkombëtarë riaktualizon nevojën dhe gatishmërinë për asistencë të huaj. Avantazhi që përfiton e majta në këtë rast duhet parë te sensi i ekuilibruar i propozimit që gjithsesi ka si pikë kyçe detyrimin e shumicës në pushtet për të hetuar në mënyrë të plotë dhe pa kufizim procesin e kundërshtuar të 28 qershorit. Hapja e kutive pra është kthyer në një kërkesë që gradualisht ka fituar terrenin e duhur për t’u marrë në konsideratë si opsion bazë në trajtimin e krizës shqiptare. Nga ana tjetër, qëndrimet e socialistëve europianë kanë qenë të kujdesshme aq sa të mos lejojnë hapësira për instrumentalizim nga logjika e luftës politike në Shqipëri. Edhe pse pohohet me forcë ekzistenca e krizës, përgjegjësia e shumicës së djathtë dhe nevoja për zgjidhjen e saj, qëndrimet e kreut të PSE, por edhe ato të selisë rozë në Tiranë i janë shmangur artikulimit të pasojave të mundshme që mund të vijnë nga kjo situatë. Kështu, Rasmussen ka ritheksuar edhe njëherë se procesi i liberalizimit të vizave ka mbështetjen e plotë të PSE dhe se është krejtësisht i mundshëm hyrja në fuqi e zbatimit të tij që në verën e këtij viti. Sipas njoftimeve zyrtare nga Lëvizja Socialiste për Integrim, në takimin me kreun e saj, Ilir Meta, presidenti i PSE “konfirmoi gatishmërinë e socialistëve dhe progresistëve europianë për të liberalizuar vizat me Shqipërinë në fillim të korrikut 2010”. Dy zhvillime që nuk kushtëzojnë njëri–tjetrin, por që i japin opozitës shqiptare imazhin e një pale luajale, duke përgënjeshtruar edhe propagandën e qeverisë këta dy muajt e fundit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›