Rast i ri me gripin e derrit në Shqipëri
Konfirmohet një rast i ri në Shqipëri me virusin A (H1N1), i njohur ndryshe si gripi i derrave, duke çuar numrin zyrtar të të prekurve në 31, bëri të ditur të premten Instituti i Shëndetit Publik.
Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, tha dje se nga përgjigja e analizave nga Laboratori i Referencës për Evropën Juglindore në Bukuresht (Rumani) u konfirmua një rast i ri i prekur nga virusi A (H1N1) tek një i ri nga Tirana. Sipas tij, aktualisht i riu është në gjendje të mirë shëndetësore.
Numri i mostrave të mbledhura në të gjithë vendin deri në datën 9 shtator është 662, ndërkohë që numri më i madh i tyre është marrë në Spitalin Infektiv (345 të tilla). Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit.
Rasti i parë i prekur me virusin A (H1N1) në vendin tonë u konfirmua në 20 korrik, pas mbërritjes së rezultateve të analizave nga Laboratori i Referencës në Rumani. I prekuri ishte një student 20-vjeçar nga Gjirokastra, i cili ishte paraqitur në Spitalin Infektiv pranë QSUT-së me shenja të gripit të zakonshëm. Ky rast, sipas specialistëve, nuk kishte lidhje epidemiologjike me vendet e prekura, apo kontakte me të sëmurë që mund të kenë ardhur nga jashtë.
Kaloritë ndikojnë në jetëgjatësi
Gjatë një studimi, shkencëtarët vunë re se 37 për qind e majmunëve që hëngrën aq sa deshën, vdiqën pas 20 vjetësh, nga shkaqe që lidheshin me moshën, ndërkohë që vetëm 13 për qind e majmunëve që iu nënshtruan një diete të rreptë, vdiqën gjatë së njëjtës periudhë.
Gjithashtu, shkencëtarët vunë re se majmunët që ndoqën dietë, u prekën 50 për qind më pak nga sëmundje të zemrës dhe kanceri dhe mes tyre nuk pati asnjë rast diabeti. Ky studim nxjerr edhe një herë në pah debatin e hershëm se kaloritë e larta ndikojnë në shkurtimin e jetës.
Ndikimi i kufizimit të kalorive në jetëgjatësi ka qenë objekt studimi që në vitet 1930 dhe studime të ngjashme kanë treguar se pakësimi i kalorive tek disa kafshë zgjat jetën e tyre.
Shkencëtarët aktualisht po studiojnë efektet e dietave tek njerëzit, megjithëse kjo nuk është e lehtë, sepse dieta mes njerëzve është më e vështirë për t’u kontrolluar dhe njeriu jeton më gjatë sesa kafshët.