Të hënën; Nis regjistrimi në universitete, procedurat
Regjistrimi i kandidatëve fitues pritet të çelet në fillim të javës së ardhshme, kur sekretaritë e fakulteteve, duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit e deri në orën 16:00 të pasdites, do të mbajnë dyert e hapura për pranimin e dokumenteve të fituesve
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se javën e ardhshme pritet që të nisë regjistrimi i fituesve të parë dhe kur të ketë mbaruar regjistrimi i fituesve të parë, në bazë të kuotave që kanë përcaktuar fakultetet përkatëse, do të bëhet zëvendësimi i vendeve të mbetura bosh.
Regjistrimi i kandidatëve fitues pritet të çelet në fillim të javës së ardhshme, kur sekretaritë e fakulteteve, duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit e deri në orën 16:00 të pasdites, do të mbajnë dyert e hapura për pranimin e dokumenteve të fituesve.
Për regjistrimin paraprak kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë një dosje individuale, me dokumentet origjinale. Dokumentet janë: Dëftesë pjekurie origjinale dhe në mungesë, një listë notash me fotografi, e nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale përkatëse; Dokument identifikimi (letërnjoftim, ID ose pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; 2 fotografi; si edhe mandati i arkëtimit të tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë (nr. i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës)
“Kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit”, - bëri të ditur Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Këtë vit, një numër i konsiderueshëm maturantësh nuk kanë mundur që të fitojnë një të drejtë studimi. Nga të dhënat e deklaruara nga specialistët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, rezulton se këtë vit, për këtë shkak kanë humbur të drejtën e studimeve të larta rreth 4500 nxënës në të gjithë vendin. Njëkohësisht, rreth 150 maturantë të tjerë janë penalizuar që në fazën e parë, pasi testet e tyre rezultuan të kopjuara.
Aktualisht është miratuar dhe numri zyrtar i kuotave të pranimeve për sistemin e ditës. Bazuar në fluksin e kërkesave të paraqitura nga vetë maturantët, janë akorduar më shumë kuota për Universitetin e Tiranës, i cili këtë vit do të presë më shumë se 7000 studentë të rinj. Po ashtu, rritje e preferencave është vënë re edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës.