Tinguj Europianë vijnë nga zëri i Saimir Pirgut në skenën operistike
Dita e Europës 2010, sot do të festohet në kryeqytet me zërin e tenorit të njohur shqiptar Saimir Pirgu, i cili dje mbërriti në Tiranë për koncertin kushtuar kësaj dite. Nën patronazhin e Ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Evropian Helmuth Lohan, do të organizohet
koncerti i këngëtarit lirik shqiptar. Koncerti që do të zhvillohet sonte në skenën e TKOB, vjen me titullin Tinguj Europianë. Tenori Pirgu, miku i të madhit Luçiano Pavaroti, do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar e Operës dhe Baletit, e dirigjuar nga mjeshtri Zhani Ciko. Në program për publikun do të jetë "Idomeneo" dhe "Cosi fan Tutte" nga Mozart, "L'Elesir D'Amore", nga Donizetti, "Skënderbeu" nga Prenk Jakova, "Macbeth" dhe Rigoletto nga Verdi, "Werther", nga Massenet, "L'Arlesiana" nga Cilea, Aria Idomeneo "Fuor di Mar", Aria e Ferrendo "Un Aura Amorosa", Aria e Lek Dukagjinit "Kjo zemra ime vlon si ujë i valë" etj. Koncerti i tij zhvillohet dhe në kuadër të sezonit koncertor ndërkombëtar të Klasik. Para se të vinte në Tiranë, para disa ditësh ai shkëlqeu në skenën operistike të Londrës. Për pesë net me radhë, tenori i mirënjohur shqiptar së bashku me sopranon shqiptare, por me famë botërore Ermonela Jaho, interpretuan në Operën Mbretërore të Londrës "Royal Opera Mouse Covent Garden" "Traviatën" e Verdit. Edhe me parë dy artistët e njohur shqiptarë kanë qenë protagonistë në këtë shfaqje në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiarnë, por për herë të parë ata interpretojnë së bashku në një skenë botërore me përmasa të tilla. Tenori i njohur, 29-vjeçari Pirgu e ka prekur skenën me këtë rol vite më parë. Traviata e famshme e Verdit u vu në skenën angleze për pesë net me radhë, ndërsa fill pas kësaj artisti mbërriti në skenën e Shqipërisë në projektet përkatëse që kanë marrë përsipër. I cilësuar nga mediat botërore si Pavaroti i ri, e nga të tjerë si një Anton Darmota, Saimir Pirgu është një ndër ambasadorët më të suksesshëm të Shqipërisë në botë dhe në karrierën e tij artistike ka një galeri të shumtë personazhesh të realizuara me shumë sukses në skenat botërore. Vlejnë të përmenden vlerësime të ndryshme që ai ka marrë nëpër skenat e vendeve ku ka interpretuar, si çmimi i akorduar nga ministri i Kulturës së Austrisë, përfshirja e tij në Teatrin e Operës së Vjenës, por dhe pjesëmarrja në festivalin më të madh operistik në botë, në Salzburg, nuk mund të kalonte pa u vënë re prej mediave. Djaloshi nga Shqipëria, Saimir Pirgu, ka qenë një ndër personazhet më të rëndësishëm të faqeve kulturore, jo vetëm në shtypin austriak, por edhe atë francez e italian. Salzburger nachrichten (Lajmëtari i Salzburgut), Kurier, Opera, Le figaro, Corriere della sera e kanë veçuar mes zërave të Salzburgut, edhe djalin nga Elbasani, i cili u prezantua në këtë festival me rolin e Ferrnandos, tek opera e Moxartit, Cosi fan tutte, disa vite më parë, kur ai ishte ende 23 vjeç. Pas pjesëmarrjes në Festivalin Ndërkombëtar Operistik, që zhvillohet në vendlindjen e Mozartit, në Salzburg, Pirgu ka interpretuar në operën verdiane Falstaf. Gjithashtu Sekretari i Shtetit i Kulturës dhe Medias në Vjenë, Franz Morak, i ka dorëzuar tenorit shqiptar, çmimin Eberhard Wacher, i cili prej vitit 1997 u jepet për arritje të shkëlqyera, artistëve të rinj më të mirë në fushën e interpretimit të roleve operistike. Këtë vit, kjo medalje që mban emrin e tenorit të njohur austriak, Eberhard Washer, iu dha tenorit Pirgu për rolin e Nemorinos te Elisir damore, vënë në skenën e operës së Vjenës.
Nga Julia Vrapi