Spanjë, gjykimi i motrës së pandershme

Skandali shpërtheu pasi që disa qindra gra në Spanjë dëshmuan se u ishin marrë foshnjat e tyre menjëherë pas lindjes, përderisa mjekët dhe personeli fetar i kishin bindur se ato foshnje kishin lindur të vdekura.
Motra 80-vjeçare e nderit, Maria Gomes Valbuena, refuzoi të premten që të dëshmojë lidhur me pjesëmarrjen e saj në vjedhjen e foshnjave të sapolindura nga prindërit dhe për shitjen e mëpastajme të tyre familjeve të tjera. Motra e nderit Maria Gomes është personi i parë që u akuzua në kuadër të hetimit të më shumë se 1,500 rasteve të shitjeve të foshnjave në kohën e sundimit të diktatorit spanjoll Francisco Franco.
Maria Gomes, e cila mes viteve të 70’a dhe 80’a të shekullit të kaluar punoi nëpër spitale të ndryshme spanjolle, kishte publikuar një shpallje në një gazetë lokale, përmes së cilës u ofronte ndihmë nënave të vetëmbajtura gjatë lindjes, gjë që i mundësoi asaj që të vinte lehtë në posedim të foshnjave.
Edhe pse emri i saj përmendet në shumë padi që ndërlidhen me vjedhjen dhe shitjen e foshnjave gjatë asaj periudhe, aktakuza e fundit kundër motrës Maria Gomes tashmë 80-vjeçare është e fokusuar vetëm në rastin e vajzës 29-vjeçare me emrin Pilar, e cila ishte adoptuar derisa ishte foshnje, por që para tetë muajve arriti të gjente nënën e saj të vërtetë.
Në një klinikë në Madrid, në të cilën kishte punuar motra Gomes, mjekët kishin mbajtur vazhdimisht trupin e vdekur të një foshnjeje, me qëllim që në këtë mënyrë t’i bindin nënat për vdekjen e foshnjave të tyre.
Ministria spanjolle e Drejtësisë, por edhe prokuroria e këtij vendi pohojnë se zgjidhja e skandalit të vjedhjes dhe shitjes së foshnjave është një prioritet, përderisa aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kërkojnë që hetimi për këtë rast të kryhet nga qeveria, derisa nënvizojnë se rrjetet e mjekëve motrave medicinave dhe motrave të nderit e kishin të lejuar që të vepronin lirshëm në shumë pjesë të vendit, dhe atë deri në fillim të viteve të 80’a të shekullit të kaluar.
Fushata që filloi në janar të vitit të kaluar, me 261 raste të lajmëruara (nga periudha mes viteve 1939 e deri në vitin 1979), deri më tani përfshinë më shumë se 1,500 akuza, të cilat tashmë janë dorëzuar nëpër gjykatat në gjithë Spanjën.
Rezultatet më të reja të hetimeve tregojnë se vetëm gjatë 50 viteve të fundit në Spanjë janë vjedhur afro 300,000 foshnje, të cilat pastaj u janë shitur familjeve që dëshironin t’i adoptonin. Në këtë punë të fëlliqur të vjedhjes së foshnjave ishin të përfshirë shumë priftërinj,motra nderi, mjekë, motra medicinave, por edhe shumë të tjerë.
Sistemi i marrjes së foshnjave nga familjet e papërshtatshme politikisht u themelua që në periudhën e sundimit të diktatorit fashist Franco, e cila filloi në vitin 1939.
Ndryshe, sistemi i mënjanimit të foshnjave nga familjet për të cilat regjimi i Franco’s do t’i vlerësonte si politikisht të rrezikshme ndërkohë u shndërrua në një biznes ilegal, në shënjestër të të cilit u gjendën nënat e vetëmbajtura dhe familjet e varfra spanjolle. Kjo praktikë vazhdoi edhe pas vdekjes së diktatorit Franco, në vitin 1975, sepse Kisha Katolike ruajti një ndikim të fuqishëm në shoqërinë spanjolle, veçanërisht në veprimtaritë që ndërlidheshin drejtpërsëdrejti me po atë shoqëri.