E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zannieri largohet nga Kosova

Nga Express më 17 qershor 2011 në ora 10:12

Shefi i misionit në shpërbërje të UNMIK-ut, italiani Lamberto Zannier, duket se është duke i numëruar ditët e fundit në Kosovë. Postin e numrit një të misionit ndërkombëtar funksional vetëm në veri (UNMIK), ai ka gjasa ta mbajë vetëm deri në fund të këtij muaji, sepse është në listën e ngushtë për sekretar të përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OBSE) dhe i ka të gjitha gjasat që të fitojë garën.

Zannier, i cili në Kosovë ka ardhur menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, e ka konfirmuar për “Zëri” mundësinë e largimit të tij nga UNNIK-u. Ai ka pohuar se pozitën e re ende nuk e ka fituar, edhe pse pranon se emri i tij është propozuar për sekretar të përgjithshëm të OSBE-së nga kryesia e kësaj organizate në Vjenë.

“Procedurat janë duke vazhduar dhe pritet një propozim formal nga OSBE”, ka thënë Zannier të enjten. Ai ka pranuar se është propozuar nga OSBE, por nëse do të jetë apo jo sekretar i kësaj organizate, akoma nuk dihet.

Zannier ka thënë se është intervistuar në mars të këtij viti, ndërsa brenda pak ditësh pritet të dihet emri i fituesit. Zannier aktualisht gjendet në Bruksel, ndërsa duket se nuk brengoset fare nëse do ta braktisë punën në UNMIK, respektivisht në Kosovë.

“Të gjithë përfaqësuesit e huaj njëherë duhet të largohen nga Kosova. Edhe unë duhet të largohem, tani apo një herë tjetër. Por, të tërën do ta kuptojmë javën tjetër”, ka thënë Zannier.

Diplomati italian, i cili mandat in prej shef i t të UNMIKut e ka nisur në Kosovë më 13 qershor të vitit 2008, thotë se për periudhën trevjeçare kanë mbetur probleme të pazgjidhura në Kosovë, ani pse në disa çështje, sipas tij, ka pasur progres.

“Disa nga problemet që kam gjetur në Kosovë ende janë të pazgjidhura, edhe pse në disa fusha ka pasur progres. Në disa çështje, si p.sh. veriu i Kosovës, çështja është më e komplikuar tashmë, sesa që ka qenë në atë kohë”, thotë Zannier.

Problemin e veriut të Kosovës ai thotë se e ka paraqitur edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në New York. “Edhe atje e kam thënë, por edhe tash e përsëris se zgjidhja e problemit të veriut mund të bëhet vetëm në qoftë se palët ulen në tavolinë dhe diskutojnë alternativat për zgjidhjen e problemit”, ka pohuar Zannier.

Se emri i Lamberto Zannier është në listën e kandidatëve për sekretar të përgjithshëm të OSBE-së e ka konfirmuar edhe Neil Simon, drejtor i komunikimit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së me seli në Kopenhagë të Danimarkës. Simon ka thënë se Zannier është në mesin e katër kandidatëve që janë propozuar për sekretar të përgjithshëm të OSBE-së, ndërsa Asambleja Parlamentare, sipas tij, e ka mbështetur këtë proces në selektim sa i përket nivelit politik të të propozuarve. (Zeri)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›