E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasti “Kleçka”, KMLDNJ kërkon të garantohet mbrojtje cilësore

Kohë më parë Prokuroria Speciale e EULEX-it ka kërkuar që avokatit të Fatmir Limajt, Karim Kan, shtetas i Mbretërisë së Bashkuar t’i merret leja e mbrojtjes së klientit të tij me pretekst se ajo ka përfunduar. Edhe Oda e Avokatëve e Kosovës më parë kishte vendosur masën e reciprocitetit për të gjithë avokatët e huaj shkaku se avokatët nga Kosova nuk kishin të drejtë t’i përfaqësojnë apo mbrojnë klientët e tyre në shtetet tjera.

KMDLNJ-së i janë drejtuar të akuzuarit në rastin “Kleçka” duke deklaruar se masa e vendosur e reciprocitetit ua pamundëson angazhimin e avokatëve të huaj dhe në këtë mënyrë nuk u garantohet një mbrojtje cilësore dhe efektive para gjykatave, transmeton rtk.

Kushtetuta e Kosovës dhe Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut shprehimisht mbrojnë të drejtën për një gjykim fer, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht e që nënkupton të drejtën për të pasur mbrojtës i cili do të pranohej dhe i cili do të bashkëpunonte me të akuzuarin. Vetëm në këtë mënyrë do të krijohen kushtet për një gjykim të drejtë. Imponimi i mbrojtjes me moslejimin e angazhimit të avokatit që e përzgjedh i akuzuari apo familja e tij paraqet shkelje të drejtave të njeriut duke krijuar kufizime dhe kushtëzime diskriminuese për të akuzuarit që duhen të trajtohen të barabartë para ligjit.

KMDLNJ vlerëson se masa e reciprocitetit në formën siç është miratuar nga Oda e Avokatëve e Kosovës është në kundërshtim me të drejtat e njeriut, në kundërshtim me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Kushtetutës së Kosovës dhe dokumenteve të tjera relevante për të drejtat e njeriut siç është Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe si e tillë duhet të anulohet. Askush nuk ka të drejtë të miratojë ligje, rregullore apo masa të tjera kufizuese nëse ato shkelin të drejtat e njeriut.

Në Kosovë masa e reciprocitetit nuk zbatohet askund përveç se këtë e bënë Oda e Avokatëve. Masa e reciprocitetit nuk i mbrojnë avokatët kosovarë përkundrazi ata i vë në pozitë diskriminuese sepse favorizon cilësinë e dobët të ofrimit të shërbimeve përballë aftësive profesionale. Sepse, avokatët kosovarë që kanë dëshmuar cilësi profesionale asnjëherë nuk mbesin pa angazhime.

KMDLNJ kërkon të respektohen të drejtat e personave të privuar nga liria duke ua mundësuar angazhimin e mbrojtësve sipas përzgjedhjes së tyre.

KMDLNJ kërkon gjithashtu që në proceset gjyqësore për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të jetë edhe një avokat që mbron të drejtat e viktimave.

Rasti “Kleçka”, rastet e tjera për krime lufte, korrupsion dhe krim të organizuar që kanë ndjeshmëri të lartë duhet domosdoshmërish të monitorohen nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, thekson KMLDNJ. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›