E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasti “Kleçka”, UÇK bëri luftë të pastër

Organizata e veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar me rastin e arrestimit të sërishëm të veteranëve të luftës së UÇK-së nga Malisheva dhe Lypjani.

Kjo organizatë rithekson se veprimet e EULEX-it janë të pabazuara e të papërgjegjshme, me qëllim të njollosjes së luftës çlirimtare dhe për të provokuar një situatë të tensionuar në Kosovë.

“Në kohën kur ne prisnim lirimin e bashkëluftëtarëve që u arrestuan më herët për rastin “Kleçka”, EULEX arrestoi edhe të tjerët që ishin të liruar të pafajshëm nga ky proces i montuar politik. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e njohur ndërkombëtarisht. Lufta çlirimtare në botë është njohur dhe vlerësuar si luftë e pastër kundër një armiku gjenocidal. Përse EULEX nuk i ka parasysh këto, por së bashku me kolaboracionistët dhe njerëzit e shitur, po mundohet të kënaq apetitet e Serbisë për ta barazuar agresorin me viktimën?” thuhet në reagimin e OVL-së së UÇK-së.

Më tej veteranët e UÇK-së kërkojnë që të dënohen serbët që janë përgjegjës për gjenocidin e bërë gjatë luftës dhe jo luftëtarët që luftuan për liri./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›