Raul mbetet në Schalke 04

Sulmuesi i Schalke 04, Raul ka insistuar se do të respektojë kontratën e tij me klubin, që vlen deri në verën e vitit të ardhshëm. 33 vjeçari kaloi në Gjermani nga Real Madridi gjatë verës së shkuar pas 18 viteve të kaluara në Santiago Bernabeu dhe i ka ndihmuar ekipit të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ku do të takohen me Manchester Unitedin.
Raul, golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve me 71 gola, ka edhe një vit në kontratën e tij me Schalken dhe synon ta respektojë atë.
“Vitin e ardhshëm ne mund të mos jemi në Ligën e Kampionëve, por nuk do të largohem. Para ardhjes në Schalke kisha mundësi të kaloja në disa klube tjera, por kjo ishte ajo që më nevojitej, të luaj rregullisht, të luftoj edhe më gjatë. Ndihem mirë fizikisht si dhe në mendje, andaj shpresoj të vazhdoj për së paku edhe nj vit tjetër. Nëse ende e ndiej dhe më josh, atëherë do të vazhdoja edhe pas kësaj”, tha Raul për mediet gjermane.
Nëse Schalke shkakton befasi dhe eliminon Manchester Unitedin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Raul mund të takohet në finale me ish skuadrën e tij Real Madrid, që takohet me Barcelonën në çiftin tjetër gjysmëfinal. Rreth një skenari të tillë, Raul tha: “Nuk e di. Nuk mund të gjej fjalët. Nëse ndodh, do të ishte më tepër se diçka e veçantë”.