Bojkotojnë ‘Plisat’
Sigal Prishtina ka shënuar fitore ndaj Pejës në ndeshjen derbi të xhiros së 27-të të BKT-Superligës së Kosovës në basketboll me rezultat të thellë 87:65, takim ky që është zhvilluar të shtunën mbrëma në kryeqytet.
Mirëpo, ky takim është zhvilluar pa praninë e publikut, pasi tifozët prishtinas ‘Plisat’ i kishin bojkotuar tribunat e palestrës në shenjë proteste ndaj forcës që kishte përdorur Policia e Kosovës kundër tyre të enjten mbrëma, gjatë një përleshjeje që kishte shpërthyer mes tyre.
Në fakt, gjatë këtij takimi, në tribuna prezent ishte vetëm një ‘Plis’. Ai ishte Agim Hoxha, i cili kishte pësuar më së shumti lëndime trupore gjatë përleshjes të së enjtes mes policisë e tifozerisë, me ç’rast 21-vjeçari ishte detyruar të kërkojë ndihmën mjekësore.
“Policët më kanë rrahur shumë, edhe pse isha i pafajshëm. Ata më rrahën me “pendrekë” vetëm pse mundën të më rrahin, dhe pa kurrfarë arsyeje tjetër. Kam kërkuar ndihmë mjekësore dhe për shkak të lëndimeve, nga ajo natë nuk kam mundur më të flej”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa, idhujt e tij, basketbollistët e Sigal Prishtinës, fitoren e tyre ndaj Pejës ia dedikuan pikërisht ‘viktimës’ së asaj përleshjeje, Hoxhës, të cilin e përshëndetën edhe nga afër pas përfundimit të ndeshjes.
“Këtë fitore ia dedikojmë këtij ‘Plisi’, i cili është lënduar shumë të enjten mbrëma, por edhe të gjithë tifozëve tanë që kanë pësuar lëndime atë natë, e që në fakt nuk janë paktë. ‘Plisat’ ishin të pafajshëm, dhe atyre ua dedikojmë këtë fitore”, u shpreh pas ndeshjes, kapiteni i badhekaltërve, Edmond Azemi.
Në anën tjetër, drejtori i Sigal Prishtinës, Artan Rugova edhe një herë kritikoi trupat e njësitit special të Policisë së Kosovës, për të cilët tha se të enjten ushtruan dhunë të shfrenuar ndaj tifozerisë kryeqytetase.
“Këtë ndeshje e zhvilluam pa shikues në shenjë proteste ndaj dhunës së shfrenuar që e përdori njësiti special i Policisë ndaj tifozëve tanë të enjten. Kemi dashur të tregojmë se dhuna e shfrenuar e policisë zbrazi palestrën, në të cilën do të mund të krijohej një atmosferë e shkëlqyeshme në këtë takim me Pejën. Dihet shumë mirë kush ka qenë fajtori i incidentit. Ajo dhunë e ndodhur në Prishtinë i ka zbrazur palestrat tona”, tha Rugova për Express.
Vetëvendosja kërkon dorëheqjen e ministrit Rexhepi
Pas përleshjes që ndodhi të enjten mbrëma mes ‘Plisave’ dhe forcave speciale të Policisë së Kosovës, pas ndeshjes basketbollistike ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bambit, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Ky subjekt politik u ka dalë në mbrojtje tifozëve prishtinas, duke e konsideruar ndërhyrjen e Policisë si joprofesionale dhe me motive etnike. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, policët e komunitetit serb kanë ushtruar dhunë brutale ndaj ‘Plisave’, vetëm pse ata kanë qenë shqiptarë.
Madje, anëtari i këtij subjekti politik, Rexhep Selimi, gjatë një konference për media, ka thënë se pas kësaj ngjarjeje, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi duhet t’u kërkojë falje ‘Plisave’ dhe të japë dorëheqje nga posti qeveritar.
Ndërsa, deputeti i këtij subjekti politik në Kuvendin e Kosovës, Liburn Aliu, për incidentin e së enjtes e ka akuzuar, siç tha ai, sistemin e tanishëm politik, i cili, sipas Aliut, vazhdimisht prodhon probleme të tilla.
Kurse, anëtari i Kryesisë së ‘Plisave’, Albert Kastrati i njohur si ‘Tigri’, ka mohuar që tifozët ta kenë provokuar dhunën. Sipas tij, ‘Plisat’ po e festonin fitoren e ekipit të tyre në momentin e ndërhyrjes së policisë.
Edhe ‘Zgjohu!’ mbron ‘Plisat’
Edhe Lëvizja qytetare ‘Zgjohu’ e ka fajësuar Policinë e Kosovës për përleshjen e tyre me ‘Plisat’. Nëpërmjet një kumtese për media, ‘Zgjohu!’ ka dënuar ndërhyrjen e dhunshme të policëve të ardhur nga Mitrovica ndaj tifozëve kryeqytetas, më me emër në Kosovë.
“Lëvizja ‘Zgjohu!’ në Prishtinë, me solidarizim të plotë nga Zyra ‘Zgjohu!’ në Shkup dhe tifozët ‘Shvercerat’ nga Shkupi, solidarizohen me ‘Plisat’ dhe kërkojmë që përgjegjësi nga Policia e Kosovës dhe ndëshkim të urdhëruesve të këtij intervenimi skandaloz kundër djemve dhe vajzave shqiptare”, thuhet në reagim.