Stili nuk ndryshon
Filozofia sulmuese e Barcelonës do të mbetet e njëjtë për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit në Santiago Bernabeu, javën e ardhshme, ka thënë trajneri Pep Guardiola.
Gjiganti katalonas u mposht 1-0 në lojën shtesë nga rivali i tyre i përjetshëm në finalen e Copa del Rey, të mërkurën, vetëm disa ditë pas barazimit 1-1 në përballjen e vlefshme për La Liga në Santiago Bernabeu.
Loja me dominim në posedimin e topit dhe prekje të shpejta e pasime të sakta është përcjellë nga ditët e Johan Cruyffit si trajner në vitet e hershme të 1990-ta tek ekipi aktual i Guardiolës. Guardiola ishte mesfushor në ekipin e ashtuquajtur të Cruyffit “Ekipi i Ëndrrave” që fitoi katër tituj të njëpasnjëshëm në ligë nga 1991-1994.
Skuadra e Jose Mourinhos përdori lojën në kundërsulm që i bëri dëm Barcelonës në të dy ndeshjet dhe Guardiola ishte pyetur nëse i konsideron ndryshimet në strategjinë e lojës së tij për përballjen e tretë dhe të katërt mes ekipeve në dy javët e ardhshme.
“Më duket sikur stili ynë është bërë arsyetim që ne kemi humbur finalen e Copa del Reyt,” tha Guardiola gjatë një konference për shtyp. “Nëse fitoni ose humbni, stili mbetet gjithmonë i njëjtë. Futbolli sulmues është e vetmja mënyrë që e kuptoj, është filozofia e klubit tonë dhe nuk do ta ndryshojë atë. Ne do të sulmojmë dhe do të mundohemi të shënojmë gola në Bernabeu”, shtoi ai.
40-vjeçari i cili fitoi të tre titujt në sezonin e tij të parë në drejtimin e Barcelonës më 2008-09, u zemërua nga sugjerimet se vetëm triumfi në La Liga për vitin e tretë të njëpasnjëshëm mund të konsiderohet dështim.
“Do të ishte një katastrofë, dështim, do të duhej të ndërrohet presidenti, trajneri dhe të gjithë futbollistët. Cikli do të ishte në fund”, tha ai në mënyrë ironike.
“Përballemi me të kaluarën e fundit gjatë së cilës kemi arritur shumë sukses. Do të isha i kënaqur edhe nëse fitojmë vetëm La Ligën, por nëse tifozët janë të mërzitur, çka mund të bëj?” vazhdoi ai. Guardiola nuk kishte kohë për të komentuar sugjerimet se futbollistët e tij mund të vuajnë nga morali i dëmtuar.
“Futbollistët duhet të reagojnë, sepse kjo është detyra e tyre. Nëse ata janë të hidhëruar, atëherë duhet të vrapojnë më tepër, në këtë mënyra ata do ta tejkalojnë më lehtë. Ata që ndihen keq për veten, mund të shkojnë të ulen në tribuna. Në sport ju humbni më tepër se që fitoni. Nuk jam psikolog, jam njeri që luajti futboll, i cili është i kualifikuar si trajner. Asgjë më tepër.” përfundoi ai.
Barcelona viziton Madridin të mërkurën e ardhshme në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa përballja e kthimit në Nou Camp zhvillohet më 3 maj.