Raundi i dytë i zgjedhjeve në Maqedoni, VMRO fitoi 16 komuna, BDI 7, LSDM 3 dhe PDSH 2 komuna
Maqedoni, shqiptarët festime në Gostivar dhe Strugë
Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka konfirmuar zyrtarisht fitoren e bindshme të partive të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI në zgjedhjet vendore në Maqedoni. Sipas rezultateve zyrtare të shpallura nga KSHZ në raundin e dytë VMRO-DPMNE ka fituar Qytetin e Shkupit dhe 16 komuna të tjera, BDI në 7 komuna, LSDM në 3 komuna dhe PDSH në 2 komuna. Partitë opozitare kanë shprehur vërejtje të shumta ndaj procesit zgjedhor. Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Boris Kondarko ka thënë se në aspektin tekniko-juridik KSHZ ka kryer punën e vet me përpikëri. “Partitë i shpalosën vlerësimet e tyre. Duhet të bëhen analiza më serioze. Është e qartë se ekzistojnë shumë elemente që sugjerojnë për ekzistimin e dyshimeve të caktuara lidhur me procesin e zgjedhjeve. Ato duhet të hulumtohen dhe procesuohen. Komisioni Shtetëror Zgjedhor në kuadër të kompetencave të veta në pjesën tekniko-juridike dhe organizative në pajtim me ligjin i realizoi të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e procesit zgjedhor në kornizat kohore të parapara me ligj”, u shpreh Boris Kondarko, kryetar i KSHZ-së. Në komunën e Dollnenit raundi i dytë zgjedhor do të zhvillohet pas dy javësh, ku do të garojnë Abdulla Bajramosvki nga BDI dhe Boshe Milloshoski nga VMRO-DPMNE. Prej komunave shqiptare, BDI ka fituar në Tetovë, Gostivar, Çair, Haraçinë, Tearcë, Bërvenicë dhe Vrapçishtë. Partia Demokratike Shqiptare fitoi në Strugë dhe Studeniçan. BDI ka festuar në Gostivar, komunë ku kandidati i kësaj partie Nevzat Bejta ka fituar ndaj kandidatit dhe kryetarit të RDK-së Rufi Osmani, i cili deri tani ishte kryetar komune. Festë e madhe është organizuar edhe në Strugë. Shqiptarët e kësaj komune, pa dallim partie, kanë festuar fitoren e kandidatit Ziadin Sela i cili shënoi fitore bindëse ndaj kandidatit maqedonas, Vlladimir Koçovski. Pas festimeve në Strugë, në fshatin maqedonas Vranishtë është sulmuar me thikë një qytetar shqiptar nga Labunishta. Përveç tij, katër persona të tjerë janë sulmuar fizikisht nga një turmë e qytetarëve maqedonas të cilët të hidhëruar nga fitorja e Selës në Strugë kishin bllokuar rrugën që shkon për në fshatin Labunishtë. Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka parandaluar ndonjë incident më të madh pasi në dalje të fshatit Vranishtë ishin mbledhur banor të fshatrave për rreth si Labunishta, Oktisi, Veleshta, Podgorca. Policia deri në orët e mëngjesit ka qëndruar aktive dhe në gjendje gatishmërie që të mos lejojë ndonjë incident tjetër.
...