E Diel, 1 Nëntor 2026

Raundi i tretë i zgjedhjes së presidentit të ri dhe trysnia e dyfishtë e së majtës mbi procesin

08-06-2012 / Nga Eden Babani

Ditët që ndoqën djegien e raundit të dytë të zgjedhjes së presidentit, në vend që t’i shternin pikëpyetjet, i shtuan. Kur do të zhvillohet raundi i tretë, të premten, sipas kërkesës së shumicës qeverisëse, apo të dielën ose të hënën, sipas kërkesës së pakicës opozitare? Do të digjet edhe raundi i tretë, sikurse dy pararendësit? Do të bindet opozita që, në çastet e fundit, të mbështesë kandidaturën e zotit Zaganjori, për hir të integrimit, pra për hir të interesave kombëtare? Në rast se jo, me ç’ alternativa do të shkohet në raundet pasardhëse?
Seanca e djeshme plenare e Parlamentit vendosi me shumicë votash që raundi i tretë të zhvillohet ditën e premte (sot), më 8 qershor. Pyetja e parë e mori, pra, e para përgjigjen. Dy pyetjet që vijojnë, e mbajnë përgjigjen pak a shumë të nënkuptuar, në mos na befasoftë ndonjë e papritur, si rrufe në qiell të kaltër, çka, gjithsesi, do të mirëpritej prej shumicës së shqiptarëve, kudo që jetojnë, në Shqipëri, në Kosovë, në trojet e tjera etnike a në diasporë. Megjithatë, - dhëntë Zoti e qofsha unë i gabuar, - “siç tregojnë bathët e priftit, pashkët janë larg”, madje edhe më larg se ora e hapjes së votimit të sotëm në Parlament.
Mbetet për t’u hamendësuar përgjigjja e pyetjes së fundit. Në kampin e shumicës qeverisëse, gjendja ngjan të jetë e stabilizuar. Në kampin tjetër jo. Mirëpo dihet se lëkundjet sizmike ndihen edhe larg qendrës së tërmetit, çka do të thotë që procesi, në mos u rrënoftë fare, mund të vështirësohet papritur e pakujtuar.
Trysnisë së Edi Ramës që procesi zgjedhor të bllokohej për hir të një tjetër procesi, - le ta quajmë “procesi i procesit”, pra “arsyeja e mosarsyes” ose (gjithnjë në rrjedhën e lojës së fjalëve!) “procesi i prishjes së procesit”, - iu shtua edhe trysnia e Fatos Nanos, i cili, nga lojtar rezervë, shpreson të hyjë në fushën e lojës. Me shtimin shkallë-shkallë të trysnisë së zotit Nano, idenë “president konsensual” po e turbullon gjithnjë e më tepër ideja “president politik”. Politikanë dhe vëzhgues të vëmendshëm, opinionistë dhe analistë të njëanshëm e të paanshëm, artikullshkrues dhe bisedues kafenesh hedhin e presin që, më shumë se publikun, tashmë të nxjerrë jashtë loje prej ndryshimeve kushtetuese të 2007-s, të bindin veten me argumente nga më të ndryshmet. Të shumtët mendojnë se më i miri president për zhvillimet e sotme politike do të ishte ai “konsensual” dhe sjellin një thes me arsyetime. Mirëpo ka ca të tjerë, që parapëlqejnë atë të staturës partiake, me kundërarsyetimin se vendit i duhen një burrë shteti dhe jo një burrec, kukull në duart e krerëve të partive. Këto dhe gjithçka tjetër që ka mbushur faqet e shtypit ose ekranet e televizioneve deri tashti, kanë qarkulluar pa doganë duke rrezikuar që kreu i ardhshëm i shtetit – konsensual, qoftë, ose politik – të gjendet përballë murit të mosbesimit të përgjithshëm dhe sulmeve të njërit krah ose të tjetrit, pse jo, edhe të të dy krahëve njëherësh, duke i besuar të varfrit president pritje-përcjelljet e të huajve dhe hapset e kashtës.
Është tepër vonë që, duke iu gjunjëzuar trysnisë që vjen nga e majta, të merremi me çka duhej marrë kohë përpara. Përndryshe nuk do të bënim tjetër veçse do të rrihnin ujë në havan, kur, me kandidaturën e zotit Zaganjori, procesi ka hyrë në hullinë e kërkuar prej faktorit ndërkombëtar, në dobi të kërkesave për integrim. Zemra do të ma dëshironte edhe mua një president “tonin”, të së djathtës, sikurse të majtët do të dëshironin të tyrin. Por nuk është koha për kthesa të tilla të forta. Lëshimi nga pak i të dyja palëve, do të ishte në dobi të vendit, të mbarë kombit.
Ta zëmë se zoti Nano do të sigurojë hapësirën e nevojshme (!) dhe, në raundin e katërt (sot, nuk ma do mendja), do të futet në garë me zotin Zaganjori ose me një kandidat tjetër të shumicës qeverisëse. Ç’të mirë do t’i sillte procesit një risi kësisoj? Asnjë, përveçse do ta nxirrte nga hullia e duhur dhe do ta fuste në atë të rrjedhjes së disa votave prej njërit ose prej tjetrit krah, çka do ta ftohte faktorin ndërkombëtar dhe do largonte vendin nga marrja e statusit vjeshtën e ardhshme.
Në anën tjetër, ish lideri i PS-së e di mirëfilli se zor të arrijë ta bindë opozitën dhe të marrë konsensusin e saj, përderisa  problemet i ka bash me opozitën. Ndaj kinse bindja e tij se, po u fut në garë, do të fitojë, është propagandë, më saktë trysni me efekte prapavepruese. E them këtë, sepse e vetmja pedanë që do ta hidhte zotin Nano në skenë si protagonist, do të ishte ajo që do ta nxirrte zotin Rama jashtë politikës. Kjo, sipas meje, shpjegon edhe kërcënimet publike për një lëvizje pro ish liderit historik të PS-së në radhët e saj. Kam bindjen se Fatos Nanoja, si politikan i zhdërvjelltë dhe me përvojë, më shumë se Presidencën, synon Kryeministrinë në zgjedhjet e 2013-s, siç e synon edhe rivali tij, Edi Rama. Zhurma, pra, bëhet për efekte psikologjike ndaj njëri-tjetrit dhe për të fituar epërsi në radhët e militantëve dhe të elektoratit të majtë, ndonëse në finish do të arrijë “më i shkathëti, më i shpejti”, sidomos ai që di të përdorë më mirë fintat dhe bërrylat.
Trysnia e dyfishtë e segmenteve të papërgjegjshme të së majtës mbi procesin zgjedhor të presidentit të ardhshëm, me prapaskena dhe intriga të frikshme për të ardhmen, meriton të jetë në qendër të vëmendjes nga ana politikanëve të përgjegjshëm të të dy krahëve. Përndryshe, vjeshta e pritshme do të shtyhej në Kalendat Greke, ndërsa 2013 nuk dihet ç’do të na sillte në derë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›