Sot prova se Rama nuk e ka dashur kurrë konsensusin
Askush nga opozita nuk po paraqet një kandidat presidencial më të mirë se Xhezair Zaganjori. I ndërgjegjshëm se Presidenti nuk ekziston si kusht për statusin dhe s’është në asnjë listë rekomandimesh të BE-së, me djegien e raundit të tretë, Edi Rama tregon se s’e ka dashur kurrë konsensusin. Ai thjesht po tenton marrjen në tavolinë të pushtetit, ose me puç parlamentar, ose me marrjen e presidentit, ose me garantimin e zgjedhjeve të parakohshme
Konsumimi i njëpasnjëshëm i raundeve të zgjedhjes së presidentit pa produkt përfundimtar, tregon shumë. Tryeza e mazhorancës arriti në një konsensus të shpejtë, pas 3 takimeve që kryetari i PD-së dhe njëherazi kryeministri i vendit, Sali Berisha zhvilloi me aleatët e koalicionit qeveritar.
Anëtarët e koalicionit të shumicës parlamentare nuk shprehën dakordësinë për një kandidat me profil të mirëfilltë politik, as për një nga zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike, por dhanë “ok”-n për një figurë konsensuale dhe të gjithëpranuar. Xhezair Zaganjori është produkti i një tryeze të gjerë koalicioni dhe jo vetëm që ka gjetur mbështetje si profesionale, politike ashtu edhe nga opinioni publik. Një konsensus i tillë i gjithëpranuar nuk ishte parë deri më tani nga dhjetëra kandidatë që kanë dominuar “tregun presidencial” gjatë 20 viteve demokraci.
Të vetmit që nuk e pranuan, madje e refuzuan që në krye të herës pa u njohur ende me propozimin zyrtar të mazhorancës, ishin njerëzit e opozitës, aty ku Edi Rama s’lëvizi për asnjë moment nga qëndrimi refraktar dhe kundër zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Krahas kundërshtisë së shprehur ndaj një kandidati që vinte nga krahu rival, Edi Rama as nuk propozoi emra të mundshëm, te denjë apo profile të përafërta me kriteret kushtetuese të kandidatëve për presidentë.
PS nuk u bë pjesë e procesit më shumë për arsye personale, ndërsa në rastin më të mirë qëllimet e saj ishin bllokuese.
I zënë ngushtë nga presioni i Fatos Nanos, lidershipi socialist u tërhoq nga shantazhi se presidenti i ardhshëm do kalojë të njëjtat procedura që kaloi Avokati i Popullit, të denja për një Shoo Mediatik dhe aspak për një pozicion institucional dhe Kushtetues. Zgjedhja e Avokatit të Popullit me CV dhe audicione me pyetje – përgjigje, jashtë çdo praktike demokratike të njohur deri më tani, ishte për Edi Ramën një segment i sigurt për të shpallur bllokadën për çfarë do lloj kandidature që do vinte nga tryeza e mazhorancës. Dalja në skenë e Fatos Nanos, jo vetëm i cenoi planet Edi Ramës për ushtrimin e metodës së Avokatit të Popullit, me qëllim marrjen e presidentit edhe pse në pakicë parlamentare, por njëherazi e detyroi atë të heqë dorë edhe nga ‘editoriali-guerril’, për rrëzimin e qeverisë me metodat e rastit, konkretisht me puç parlamentar gjatë votimit të Presidentit. Gjatë pak më shumë se 1 javë nga nisja e procesit kushtetues, sot jemi në raundin e tretë dhe të fundit për nga konsensusi mazhorancës-opozitë dhe nga krahu i majtë politik nuk duket asnjë shenjë reflektimi që u la si mundësi e hapur në takimin Berisha-Rama. Mazhoranca ka përsëri të njëjtin kandidat, Xhezair Zaganjorin. Opozita nga ana tjetër vazhdon të jetë në vakancë totale dhe me papërgjegjshmëri të theksuar për të marrë pjesë në një proces që në thelb respekton Kushtetutën e vendit. Faktikisht, prova e një konsensusi të munguar nga ana e opozitës, u pa që në takimin Patozi - Ruçi, kur ky i fundit mbërriti në “tryezën e presidentit”, me platformën e bllokimit me katër pika.
Pas 10 ditësh dhe në pritje të raundit të tretë të votimit (me 84 vota), selia rozë duket e pajetë në skenën politike shqiptare. Në ngrehinën socialiste ka rënë zia sepse Edi Rama është mes dy zjarreve; betejës së humbur me vendosmërinë e mazhorancës për t’i dhënë vendit një president jo-politik; si dhe provokimit të lëvizjes “Nano” pas injorimit që kryesocialisti në detyrë i bëri liderit historik të së majtës, që prej shprehjes nga ana e tij, të ambicies për të qenë kandidat në garën për presidentin e ardhshëm.
Sot, jemi në raundin e III, të fundit për nga mundësia e konsensusit dhe përsëri të dhënat janë që kjo fazë vendimtar, do ezaurohet pa kandidatë. Ndërsa nga ana tjetër, kreu i PS-së, pasi ta ezaurojë edhe sot zgjedhjen e Presidentit, në prag të zhvillimit të raundit të katërt, do nisë përçapjet dhe qurravitjet se mazhoranca fitoi një “garë pa garë” apo se “minoi konsensusin” me opozitën kur është vetë ai përgjegjës për “konsensusin e munguar” mes dy krahëve politik. Procesi i zgjedhjes së Presidentit dëshmoi edhe njëherë se eunuku politik që ka uzurpuar Partinë Socialiste, duhet zhbërë prej aty ose izoluar në vrimat e kotësisë, larg realitetit dhe proceseve lobuese dhe reformatore të vendit në rrugën e integrimit evropian.