Reagim i PD: Pa transparencën e zgjedhjeve të 23 qershorit, demokracia dhe shteti ligjor do të futen në një spirale të rrezikshme
Mazhoranca organizoi zgjedhje me standarde – PS përsëriti “dushkun e 2001” në Lezhë dhe Shkodër
Partia Demokratike reagoi dje pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 23 qershorit, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke akuzuar PS-në për vjedhje të votave. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi tha se PS ushtroi presion edhe mbi Kolegjin Zgjedhor, për të marrë vendime në favor të saj. Në vlerësimin e demokratëve mazhoranca dëshmoi vullnetin pozitiv në organizimin e zgjedhjeve me standarde, ndërsa PS tentoi të vjedhë një mandat deputeti në qarkun e Lezhës si dhe në Shkodër u zbuluan qindra vota të vjedhura. “Me vendimin e sotëm formal të votuar nga katër anëtarë, KQZ përmbylli një proces zgjedhor i cili shënoi arritje, në lidhje me standardet e organizimit, dëshmoi vullnetin pozitiv të mazhorancës për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve, përkundrejt minimit që PS i bëri procesit, duke tërhequr anëtarët nga KQZ. Vendimi i sotëm dhe vullneti i dëshmuar i PD dhe aleatëve të saj, për një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor nuk mund ta shlyejë vulën e turpit, me vjedhjen e votave që u provua në sytë e publikut dhe vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë. Në Lezhë, PS tentoi t’i vidhte një mandat PD, që të arrinte shumicën e cilësuar me 84 vota, njësoj siç bëri me Dushkun, në 2001. Në Shkodër u zbuluan qindra vota të vjedhura nga koalicioni PS-LSI. Një transparencë e plotë, e bazuar në provat që disponohen, do tregonte qartë mënyrën se si Partia Socialiste tjetërsoi votën e qytetarëve, pas angazhimit për fitore me çdo mjet, përfshirë përdorimin e parave të pista dhe angazhimin e kontigjentëve kriminalë”- u shpreh zëdhënësja e PD. “Lezha i vuri damkën e turpit fitores së Partisë Socialiste, ashtu sikurse Dushku në 2001!”, tha Vorpsi, ndërsa solli në vëmendje se “që nga fillimi, PS i shpalli luftë KQZ-së, organit më të lartë për organizimin e zgjedhjeve dhe këtë e bëri në mënyrë sistematike, të qëllimshme dhe antikushtetuese”. “Qëllimi i PS ishte i thjeshtë, të shndërronte në organ të vetëm për zgjedhjet Kolegjin Zgjedhor, të cilin siç edhe u dëshmua e kontrollonte lehtësisht.
Për fat të keq, Kolegji kapitulloi para presioneve çka u dëshmua publikisht përmes njëanësisë së tij, duke pranuar çdo kërkesë të bërë nga PS dhe LSI. Kolegji vendosi hapur dy standarde në gjykim, duke anuluar “de facto” kapituj të tërë të Kodit Zgjedhor me vendimet e tij dhe duke shkelur Kushtetutën, me vendimin për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve”- tha ajo.
Ndërkaq, Partia Demokratike është e vendosur për transparencën e shkeljeve dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve të këtyre shkeljeve. “Pa këtë proces demokracia dhe shteti ligjor do të futen në një spirale të rrezikshme dhe me pasoja të rënda për fatet e vendit dhe të çdo qytetari Shqiptar!”, deklaroi më tej zëdhënësja e Partisë Demokratike.