E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagime për arrestimin e ish pjesëtarëve të UÇPMB-ës

Familjarët e të arrestuarve
Luljeta Nuhiu e shoqja e të arrestuarit thotë për agjencinë e lajmeve INA se forcat speciale serbe në mënyrë barbare kanë maltretuar bashkëshortin e saj duke ngjallur frik dhe tmerr tek fëmijët.

Ajo thotë se forcat paramilitare kanë thyer dyert dhe dritaret duke trishtuar edhe fëmijët të cilët ishin në gjumë.Po ashtu edhe nëna e të arrestuarit për derisa ishte duke e falur mëngjesin kur kishte parë forcat speciale nga trishtimi kishte pësuar sulm në zemër. Ajo thotë se gjatë 65 viteve të saj nuk kishte parë aso maltretimi.

Bastisja është kryer në ora 5 e 50 të mëngjesit në kërkim të Shemsi Nuhiu i cili kishte qenë pjestarë i UÇK-së së Kosovës , por ai në fakt ishte botën e jashtme dhe si pasojë është maltretuar vëllai i tij.Sipas korrespodentit të agjencisë së lajmeve INA, po ashtu edhe në familjen Hasani janë arrestuar dy vëllezërit Ahmet e Nazif Hasani. Gjatë vizitës që kemi bërë në shtëpinë e tyre fëmijët e mitur me lot në sy dhe të trishtuar kërkonin babain e tyre të cili e kish parë duke e rrahur brutalisht forcat speciale.

Edhe Djali i Ahmetit Emrahi të cili ja kanë thyer ashtin e hundës nga goditjet brutale thotë se katër orë e gjysmë ka qenë i shtrirë në dysheme pa vetëdije në atë ftohtë të mëngjesit. Si pasojë e bastisjeve duke mos qenë fare pjesëtarë i ndonjë ushtria çlirimtare shqiptare është edhe Fatmir Sahiti i cili nga goditjet i ka të thyer dy brinjët e anës së majtë. Ndërkaq është arrestuar i vëllai i tij Kamber Sahiti.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, ka dënuar arrestime e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Halimi ka vlerësuar se aksionet dhe arrestimet e këtilla ndaj shqiptarëve nuk çojnë kah stabilizimi i situatës në këtë rajon.

”Ishte absolutisht e panevojshme që në aksionin e arrestimit të marrin pjesë më se 100 pjesëtarë të xhandarmerisë, me bllokim të rrugëve dhe me keqtrajtimin e banorëve”, ka thënë Halimi, sipas të cilit duket se dikujt i duhet që në jug të Serbisë, kohë pas kohe, të ngritet temperatura, për ta arsyetuar përdorimin e xhandarmerisë.

Kreu i FSK-së Sulejman Selimi

Kreu i FSK-në, Sulejam Selimi kërkoi nga kreu shtetëror i Kosovës që të vihen në mbrojtje të ish- pjesëtarëve të UÇK-së të cilët nuk kanë bërë krime por një luftë të pastër. Selimi shprehu keqardhje për arrestimin e ushtarëve të pafajshëm. “Ata nuk kanë bërë krime por kanë luftuar për qytetarët e Kosovës, kanë luftuar që Kosova të jetë shtet. Nuk duhet të lejohet një gjë e tillë që të përdhunohen vlerat e UÇK-së", tha kreu i FSK-së.

Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH)

Partia shqiptare në Maqedoni., Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) në një reagim për mediat thekson se mobilizimi i qarqeve antishqiptare Beograd- Shkup destabilizon Ballkanin.

“Dhuna dhe terrori shtetëror që po aplikon Maqedonia kundër shqiptarëve të Çairit, Haraçinës, Hasanbegut, Kumanovës dhe Likovës nxiti mentorët e tyre në Beograd që të rishfaqin arsenalin e tyre antishqiptarë dhe të mos mbeten prapa shegertëve të tyre të Shkupit.Për të përmbyllur terrorin në këtë pjesë të territoreve lindore dhe verilindore shqiptare, komunat e Preshevës dhe Bujanovcit u vunë nën thundrën e çizmes policore serbe.Bastisje, maltretime, shkatërrime dhe arrestime të njëjta, akuza të njëtja (terrorizëm), viktimat e njejta (shqiptarët)....shkollla e dhunës antishqiptare Beograd-Shkup e njëjtë.Dhuna dhe terrori ndaj shqiptarëve në këtë pjesë të Ballkanit duhet të jenë sinjal alarmi për ndërkombëtarët se kjo logjikë sjell në mënyrë të pashmangshme deri te destabilizimi i rajonit.Mobilizimi i qarqeve antishqiptare Beograd-Shkup duhet të trokas te ndërgjegja e të gjitha forcave politike dhe të institucioneve shtetërore shqiptare që përballë kësaj situate të dalim me një strategji të përbashkët. Në të kundërtën pasojat janë të paparashikueshme”, thuhet në reagimin e BDSH.

Bashkësia Shqiptare në Zvicër

Në emër të anëtarësisë, të shoqatave, klubeve, e asociacioneve shqiptare që veprojnë në kuadër të „Bashkësisë Shqiptare në Zvicër“ dënon ashpër burgosjen e ish pjesëtarëve të UÇPMB-ës.

“Aktin i arrestimit të luftëtarëve të lirisë „Bashkësia Shqiptare në Zvicrës“ e kualifikon si akt kriminal e antinjerëzor të drejtuar kundër pjesës së kombit shqiptar të komunave shqiptare Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.Kjo pjesë e kombit shqiptar pa fajin e vetë ka mbet e robëruar nga okupatori të cilin deri dje mbi kurriz e kishte Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja, Kroacia e Sllovenia. T ë gjitha këto vende e popuj e dinë mirë se si jetohet nën sundimin serb, prandaj me këtë rast u bëjmë apel gjitha qeverive të shteteve të sipërshënuara qe ta ngrisin zërin e arsyes dhe të dënojnë veprat antinjerëzore e antishqiptare si kjo e burgosjes së ish luftëtarëve të UÇPMB-ës”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

Kjo organizatë u bënë apel gjitha shoqatave, bashkësive fetare, kulurore e sportive, klubeve, shoqërive të ndryshme profesionale e afariste, intelektualëve e veprimtarëve shqiptar që jetojnë e punojnë në Zvicër që ti bashkohen reagimit dhe apelit të Bashkësisë Shqiptare në Zvicër, ta dënojnë këtë akt makabër të Serbisë ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës Lindore.

Aksioni i MPB-së serbe

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e filloi dje herët në mëngjes aksionin e arrestimit të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Presheva. Në këtë aksion janë arrestuar 11 persona dhe janë bastisur 17 shtëpi. Në kumtesën e Prokurorisë për krimet e luftës theksohet se pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë sipas flet-urdhëresës së prokurorit për krime të luftës, Vlladimir Vukceviq, kanë arrestuar një numër të madh të pjesëtarëve të ashtuquajtur „Grupi i Gjilanit i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës“. Ata janë privuar nga liria me dyshim të bazuar se në periudhën qershor-tetor të vitit 1999, respektivisht pas tërheqjeve të forcave ushtarake policore serbe, kanë kidnapuar 159 civil serbë dhe kanë privuar nga jeta 51 persona. Aksioni është zhvilluar me ndihmën e Agjencisë Informative dhe të Sigurisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa është planifikuar disa muaj thuhet në kumtesën e Prokurorisë për Krime Lufte. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›