E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagime per vrasjen e ambasadorit amerikan

Liderët botërorë kanë reaguar menjëherë pas vrasjes së ambasadorit amerikan në Libi Kristofer Stivens gjatë një sulmi të turmës së zemëruar mbi konsullatën amerikane në Bengazi. Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Obama ka dënuar sulmin dhe ka urdhëruar vënien në dispozicion “të të gjitha burimeve të nevojshme për të mbështetur sigurinë e personelit amerikan në Libi dhe për të rritur sigurinë në zyrat diplomatike në tërë globin”.

Mësohet se presidenti ka urdhëruar gjithashtu forcimin e masave të sigurisë në të gjitha selitë diplomatike amerikane në mbarë globin.
Ministri i brendshem libian Mohamed Magarief kërkoi falje për vrasjet, të cilat i cilësoi akte kriminale.

Sulmi u dënua dhe nga ministri i jashtem britanik Uilliam Hejg, i cili e cilësoi atë brutale dhe të pakuptimtë.
“Këta diplomatë po i shërbenin jo vetëm vendit të tyre, por edhe popullit libian dhe po punonin për paqen dhe stabilitetin e Libisë në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e ministrit të jashtëm britanik.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka ngushëlluar Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, për vrasjen e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Bengazi, Kristofer Stivens, dhe të tre amerikanëve të tjerë.

Në telegramin e tij, ministri Hoxhaj ka shprehur pikëllimin e qytetarëve të Kosovës për këtë lajm, duke theksuar "solidaritetin e plotë të institucioneve dhe popullit të Kosovës me popullin dhe autoritetet amerikane, si dhe me familjarët e viktimave të këtij sulmi terrorist".Hoxhaj ka dënuar "në mënyrën më të ashpër të mundshme këtë sulm të tmerrshëm mbi misionin amerikan".
Analistët thonë se sulmi do të rrisë më shumë tensionet në vend si dhe shqetësimet për stabilitetin dhe aftësinë e Libisë për të garantuar sigurinë në vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›